Trembëdhjetë rastet e testuara në Covid19 të shtunën mbrëma në Kosovë kanë rezultuar negative, është bërë e ditur përmes një njoftimi të Ministrisë së Shëndetësisë.
Në njoftim bëhet e ditur se që nga 8 marsi e deri më tani, gjithsej 220 mostra janë testuar, pesë prej të cilave kanë dalur pozitive.
“Pesë rastet positive për virusin janë SARS-CoV-2 janë: tri raste nga Stublla e Vitisë, (dy prej tyre kontakte të rastit të parë) i ardhur nga Bergamo e Italisë, njëri rast shtetase italiane me vendqendrim në Leskoc të Klinës si dhe një rast kosovare e ardhur nga Italia-Brescia me vendqëndrim në Bubavec-Malishevë. Pra tri raste janë të gjinisë femërore të moshës 20, 37, 39 vjeç dhe dy prej tyre të gjinisë mashkullore 77 dhe 42 vjeç”, shkruan në njoftim.
Në njoftim është bërë e ditur se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) po përcjell me vigjilencë të shtuar situatën epidemiologjike me COVID-19, po monitoron të gjitha rastet e kontakteve si dhe atyre të cilëve u është rekomanduar për vetë izolim shtëpiak.
“Në qendrën e thirrjeve deri më tash janë pranuar në total 875 thirrje, ndërsa në 24 orët e fundit janë pranuar 452 thirrje telefonike. Ekipet e QRShP në rajonet përkatëse janë në terren dhe janë duke i kontakuar kontaktet e kontaktevetë rasteve pozitive me COVID-19 për mbikëqyrje të rreptë për 14 ditë duke rekomanduar që personat të vetëizolohen dhe ata që kanë simptome të lajmërohen në klinikën infective”, shkruan në njoftim.