Liderët e prorusëve në Donetsk dhe në Lugansk kanë bërë thirrje për mobilizim të përgjithshëm, ndërsa Perëndimi ka paralajmëruar për incidente të tjera nga Rusia.
Denis Pushilin, lideri i prorusëve në Donetsk lëshoi një urdhër që të gjithë burrat e moshës nga 18 deri në 55 vjeç të paraqiten në pikat e takimit të rebelëve. Ai pretendon se Ukraina është duke planifikuar një ofensivë në këtë rajon. “U bëj thirrje të gjithë burrave të republikës, të cilët janë në gjendje të përdorin armët, të ngrihen për familjet e tyre, fëmijët, gratë, nënat e tyre”, tha Pushilin, shkruan A2 CNN.
Mbrëmjen e së premtes, nisi një evakuim masiv nga ky rajon i banorëve në drejtim të Rusisë. Mediat ruse raportojnë se deri tani janë evakuuar më shumë se 13 mijë persona vetëm nga Lugansk.