Nga Atë Foti Cici
Më 2 gusht 1992, me fronëzimin e dhunshëm të kryepeshkopit të sotëm antishqiptar, Anastasios Janullatos, nisi një projekt i kushtueshëm për shkombëtarizimin e komunitetit ortodoks në Shqipëri dhe në diasporë.
Shkombëtarizimi i Kishës sonë kombëtare nisi me një strategji të fshehtë, hodhi pastaj hapa tinzare në shtresat e larta politike dhe intelektuale në Shqipëri dhe në ShBA, duke u shfajësuar në vijim pa drojë me dhuunë ekonomike.
Privatizimi i KOASh-it u thellua duke krijuar një shtet brenda shtetit, me pavarësi legjislative dhe ekonomike, gjë që u bë e mundur me mbështetjen e krerëve të Shqipërisë për shumë vjet, duke miratuar marrëveshje të përbashkëta ligjore me përmbajtje të hapur antishqiptare, siç ishte statuti i ri i Kishës sonë, një statut antivendor dhe antikanonik.
Me mbështetjen e klasës politike shqiptare, të të gjitha qeverive të pasdiktaturës, shkombëtarizimi i KOASh-it u qarkua plotësisht.
* * *
Duke shfrytëzuar mungesën e hierarkisë vendore, e cila ishte zhdukur gjatë regjimit komunist, kryepeshkopi grek personalizoi gjithë autoritetin kishtar dhe të gjitha funksionet administrative, duke mbjellur e rrënjosur një institucion të centralizuar dhe privat, ashtu siç vijon ende sot.
Mungesa e mendimit teologjik në Kishën tonë në Shqipëri dhe në diasporë, ateizmi i intelektualëve me prejardhje ortodokse, varfëria e shumicës dërrmuese të besimtarëve, lakmia e disa politikanëve dhe personazheve në Shqipëri dhe në diasporë, të gjitha këto i dhanë shkas Janullatosit për të bërë më tepër nga ç’kishte ëndërruar.
Trauma grupore e shqiptarëve mbas një diktature çnjerëzore, kultura dhe letërsia e së cilës kishte ngjizur një komunitet ku shqiptari duhet të ishte kundër shqiptarit, ishte një rast i përkryer për psikologjinë, karakterin dhe botën shpirtërore të Janullatosit.
Fuqia ekonomike dhe mbështetja politike i dhanë Janullatosit krahë për të institucionalizuar improvizimin publik, i cili ishte i domosdoshëm për të gjitha palët. Shkombëtarizimi i komunitetit ortodoks në Shqipëri dhe në diasporë duhej bërë pikërisht nga një njeri i tillë, një kult i ngjizur për të imponuar projekte të huaja, përndryshe të pamundura.
* * *
Për ata që nuk kuptojnë, ose që hiqen sikur nuk kuptojnë, le të kujtojmë arritjet e mëdha të Janullatosit në Shqipëri.
1. U mohuan sistematikisht dhe u nxinë personalitetet që luftuan dhe arritën kombëtarizimin e komunitetit ortodoks në Shqipëri, duke shkëputur nga kujtesa kishtare e besimtarëve vitet 1920-1990. Përveç aspektit kombëtar, u çuan në harresë edhe klerikët me kombësi shqiptare që u përndoqën për besimin ortodoks gjatë diktaturës ateiste; për të mos pasur asnjë shenjë lidhëse me të kaluarën e përbashkët historike.
2. Nga ana tjetër, për të eklipsuar figurat shqiptare në Kishë, u krijua një listë me përvjetorë personalë të kryepeshkopit grek, rreth dhjetë festime në vit, për të imponuar nëpërmjet përsëritjes kultin e Anastasit. Rreth 90% e literaturës ortodokse në gjuhën shqipe sot, si volum, i përket kryepeshkopit Anastas, pa harruar skandalet e ikonave dhe afreskëve, ku portretizohet brenda në kisha perversiteti i anastasizmit.
3. Në ndërtimin e kishave të reja u imponua një arkitekturë helene, me një simbolikë dhe ikonografi greqisht, në masën mbi 95%, duke mëkuar brezin e ri me bindjen se shqipja qenka gjuhë e pafuqishme për të qenë e barabartë me gjuhët kishtare të popujve fqinjë. Përderisa e vetmja “dëshmi” e grekësisë nga e kaluara janë kishat me mbishkrime greke në Shqipëri, kjo ripohohet dhe ripërforcohet në ndërgjegjen greke edhe për brezat që vijnë.
4. U bllokua plotësimi i teksteve liturgjike për kombëtarizimin e Kishës, duke u mjaftuar me një përqindje të vogël të përkthimeve të trashëguara, por duke mashtruar me disa ribotime të tyre dhe me premtime të rreme se do të bëhen, “kur të vijë ora e Zotit”.
Në të njëjtën kohë, u kthye greqishtja në Tiranë, Korçë, etj, ndërsa në mjaft kisha në jug të Shqipërisë gjuha shqipe u ndalua krejt!
5. U përjashtuan nga kryesia e Kishës shqiptarët ortodoksë, duke emëruar në pozitat kyçe shqiptarë nga familje myslimane, madje të gjithë individë mafiozë dhe të kompromentuar me abuzime ekonomike dhe seke**ale.
Përjashtimi i ortodoksëve u bë për të themeluar imazhin se KOASh-i u përbëka nga grekë dhe myslimanë të konvertuar prej misionit grek, por edhe për të futur përçarjen brendashqiptare më vonë; për ta lënë luftën mbrapa!
6. Kryepeshkopi luftoi dhe pengoi organizimin e shqiptarëve ortodoksë jashtë Shqipërisë, ndërsa kapi dhe futi nën influencën e tij politike diasporën shqiptare ortodokse në ShBA.
Në vitin 1999, kur Kryepeshkopi i Athinës vendosi hapjen e një kishe në gjuhën shqipe në Athinë, Kryepeshkopi Anastasios përdori lidhjet e tij me qeverinë greke, duke e bllokuar procesin dhe duke e shtrënguar Kryepeshkopin e Greqisë të tërhiqet!
Në vitin 2005 Kryepeshkopi Anastasios mbylli kishën e re në gjuhën shqipe në Toronto, Kanada, gjë që shënoi dështimin përfundimtar për organizimin e shqiptarëve ortodokse jashtë Shqipërisë.
7. Mbas këtyre akteve strategjike, në vitin 2006 u imponua një statut antishqiptar, duke zbritur dhe cunguar dekretin e dhënies së autoqefalisë (1937), në disa nene që fytyrojnë një kishë kombëtare.
Një nga nenet antivendore të statutit të ri ishte përjashtimi i diasporës shqiptare nga juridiksioni i KOASh-it: Diaspora ekzistonte në statutin e mëparshëm, të vitit 1950. Madje ky ndryshim vrastar u fut te nenet e pandryshueshme!
Kjo u krye me largpamje për të ngrirë perspektivën e ndërgjegjësimit identitar të shqiptarëve ortodoksë jashtë Shqipërisë, nga njëra anë, por dhe për të nxitur konflikte dhe çarje brendakishtare në të ardhmen, përderisa neni është ligjëruar si i pandryshueshëm!
8. Mbas punës këmbëngulëse dhe suksesit të pamohueshëm në shkombëtarizimin e KOASh-it, në vitin 2016 u kompromentua vetë autoqefalia, me nenin 63.2, por vetëm duke i lënë titullin autoqefalisë: Që të përdoret në konfiguracionin e votave të primatëve autoqefalë, siç mëtohet shpesh nga Fanari sot në konfliktet ndër-ortodokse. Statuti i ri është kopsitur, në mënyrë që titulli i autoqefalisë mund të tërhiqet lehtë, nëse kryepeshkopët e ardhshëm ngrenë krye.
9. Institucionet në pronësi të KOASh-it komandohen dhe zotërohen sot në mënyrë private nga shtetas grekë, me kontrata pa afat. Kryepeshkopi iu jep “me hua” (pa pagesë dhe pa afat) bashkëpunëtorëve të tij grekë institucionet dhe pronat e Kishës!
10. Në janar 2019 kryepeshkopi Janullatos u dekorua nga Presidenti i Greqisë z. Pavlopulos, me fjalët: “Për mënyrën se si e mbron Greqinë dhe Helenizmin, diçka që na frymëzon të gjithëve”!
* * *
Për ata që kanë minimumin e dinjitetit personal dhe familjar, nuk ka dyshim se veprimtaria dhe vepra ndërtimore e Janullatosit në vendin tonë ka përmbajtje, synime dhe pasoja antishqiptare.
Për më keq, KOASh-i ndodhet sot në një krizë të thellë institucionale, ku përveç abuzimeve ekonomike dhe seksuale brenda klerit, madje dhe brenda rrethit të ngushtë të Kryepeshkopit, ekziston një diktaturë e egër brenda Kishës.
KOASh-i nuk ka rregullore dhe nuk pa proces kanonik dhe sinodik (kolegjial).
Janë dëbuar nga Kisha rreth njëzet klerikë dhe teologë, ndërsa rreth njëzet të diplomuar nga Akademia Teologjike, janë përjashtuar nga punësimi në Kishë.
Shumica e të punësuarve në Kishë jetojnë në pasiguri dhe stres të vazhdueshëm, ndërsa të tjerë vuajnë psikologjikisht, sepse iu kërkojnë të bëjnë pisllëqe për të mbajtur vendin e punës, përndryshe kërcënohen t’i nxjerrin në rrugë.
Kultizimi i Anastasit, ashtu si çdo sëmundje, ka nevojë për shërim, por kur i sëmuri nuk pranon trajtim, sëmundja thellohet.
Të gjithë presin të vdesë Janullatosi. KOASh-i pritet të përçahet dhe të përndahet nga disa kisha dhe interesa të huaja. Të gjithë janë në pritje