Investimi në njësi monetare digjitale është bërë trend te qytetarët të cilët japin shuma të majme parash për kriptovaluta që supozohet të funksionojnë si sisteme pagesash te pavarura. Por tregu është i mbushur me persona të cilët zhvatin para me premtime boshe, e në raste më të këqija, viktimat hasin edhe në hajdutë.
Me një rast të tillë është përballur mbrëmë një person në Prishtinë, i cili kishte vendosur që rreth 3 mijë euro t’i investojë në kriptovaluta.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se në takimin e 33-vjeçarit me personin që pretendonte se shet kriptovaluta, nuk shkoi vaj.
Bazuar në dëshminë e viktimës, në momentin që ia ka dhënë paratë tashmë të dyshuarit, ai i ka hedhur sprej syve dhe më pas është larguar që aty bashkë me paratë që vodhi.
Si pasojë e kësaj, i riu ka kërkuar edhe ndihmë mjekësore, për shkak të efektit që spreji pati në sy.
Ndërkohë Policia ka marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe që çojnë në identifikimin e të dyshuarit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vjedhje grabitqare’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.