Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se rrënjët e shtetndërtimit buron nga greva e minatorëve të “Trepçës”. Kurti tha se minatorët u kthyen në vetëdije me guxim politik që dridhi gjithë ish-Jugosllavinë.
Në 35-vjetorin e Grevës së Minatorëve të Trepçës, Kurti tha se përmes grevës e cila zgjati tetë ditë, minatorët kërkuan të drejtat kushtetuese dhe protestuan kundër revokimit të autonomisë së Kosovës të garantuar sipas Kushtetutës së vitit 1974 të Jugosllavisë Socialiste.
“Po takohemi sot në ditën e minatorit në ditën e lavdishme në vendin tonë. 20 shkurti i vitit 99’ ishte ditë e madhe e asaj pranvere. Menjëherë pas ditës së pavarësisë, ne nderojmë rrënjët e shtetit tonë. Minatorët porositën qartë se populli jonë nuk heq dorë për të vendosur për veten. Më 20 shkurt të vitit 1999, minatorët u ngujuan për heqjen e autonomisë. Fjala ‘Trepçë’ mori një kuptim të fuqishëm dhe politik, dhe kjo vazhdoi në ditën e fundit. Kështu një komuniteti minatorësh u kthye në vetëdije me guxim politik që dridhi gjithë ish-Jugosllavinë”, tha Kurti.
Ai tregoi edhe për investime që është duke i bërë Qeveria në “Trepçë”, të cilën e quajti “pasuri tonën”.
“Në gjendje jo të mirë shëndetësore qëndruan mbyllur nëntokë. Minatorët tanë nuk u dorëzuan para të keqes me vendosmërinë e tyre. U përkulemi në nderim përjetë e mot. Në minierë puna jonë është e rëndë por misioni është i mundshëm. Trepçën sot e mbajmë si pasuri tonën duke i qeverisur mirë dhe duke ua rritur vlerën. Suksesi ynë është i mundshëm bashkë si Qeveri dhe me përkushtimin tuaj”, tha Kurti.
Kryeshefi i ndërmarrjes “Trepça”, Bashkim Kurti, foli për historikun e kësaj ndërmarrjeje.
Tha se daton që nga vetë ekzistimi i Kosovës, përçka kërkoi të jenë unifikues kur bëhet fjalë për Trepçën. Ai foli edhe për kontributin e minatorëve ndër vite.
“Jemi mbledhur sot këtu për të kujtuar grevën e vitit 1989. Minatori i Trepçës dje sot vazhdon të dëshmojë për daljen nga sfidat dhe për të na bërë krenar. Trepça që nga fillet e saj që nga koha romake ka vendosur themelet e saj, ka kaluar në vështirësi në këtë rast nuk mund të mos i përmendim shfrytëzimin abuzimet që i janë bërë Trepçës qe janë plagë të paharruara. Historiku i Trepçës, minatori është guri i pathyer si gurët e Trepçës. Kjo reflekton nga vetë qytetarët që u lindën dhe rriten. Sot në 35 vjetorin të kujtojmë për të mos harruar kurrë djersën mundin për të ndërtuar shtetin tonë. Festojmë qëndresën përkushtimin për zanatin e tyre, shikojmë nga e ardhmja. Mbetet një dëshmi e përpjekjeve tona, Trepça është e vjetër aq sa vendi ynë, të qëndrojmë të bashkuar për Trepçën”, tha ai.
E zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, tha se janë në proces të rekrutimit të punëtorëve dhe në hapjen e rrugës për investime të mëdha.
“Ne jemi të përkushtuar ta ruajmë Trepçën sepse është e jona. Trepça është e vetmja që ka një aksionar të dytë. Ndërmarrja po i kthehet minatorit dhe po punon në shtimin e numrit të tyre. Sa më shumë rekrutime të reja. Ndërmarrja po hap rrugën e investimeve të mëdha”, tha Mjeku.