Shtëpia e Arbër Zenelit dhe ajo e Valon Berishës janë plaçkitur teksa dy futbollistët ishin në udhëtim me klubin e tyre, Reims në Francë. Dëmet janë vlerësuar midis 300.000 dhe 350.000 eurosh, ka bërë të ditur zyra e prokurorit të Reims, duke konfirmuar informacionin e “20min.ch”.
Dy yjet e Kosovës po udhëtonin me ekipin në Valenciennes në momentin e ngjarjes ka bërë të ditur Ludovic Andre, prokuror i Reims. “Vjedhja është konstatuar për mbrëmjen e së mërkurës, hetimet janë hapur dhe policia gjyqësore ka filluar hetimet”, ka thënë prokurori.
Sipas dyshimeve të para, janë vjedhur dy çanta Louis Vuitton dhe shtatë ora Rolex, me një vlerë totale nga 300.000 deri në 350.000 euro. Tashmë ka një dëshmitar për rastin dhe kamerat kanë qenë në funksion, shtoi prokurori, duke zbuluar se ende nuk kanë rënë në gjurmët e grabitësve.