“5 Maji” në Tiranë: kur pas rezistencës vjen dorëzimi!

Te rruga “5 Maji” në Tiranë u konsumuan skenat e radhës alla “Astir”, me shtet që shkon të prishë banesa e të zotët e këtyre të fundit që protestojnë, rezistojnë, por në fund dorëzohen.

Fjala është për një process prishjesh në funksion të ndërtimeve të reja në kuadër të Rindërtimit.


Mallkime të mëdha, madje dhe kërcënime, u lëshuan ndaj kryebashiakut Veliaj, i cili, nga një person që rezultoi të ishte dhe subjekt i OFL-së, u paralajmërua se mund ta pësonte me acid në fytyrë.

“Kur të dali Veliaj në bllok nuk është vështirë t’i dalim me kapuç dhe t’i hedhim acid në fytyrë. Çdo shqiptar e ka një kallash të fshehur diku dhe dy shishe benzinë. Nuk është zor kur të dali Erion Veliaj në Bllok me pi kafe, nuk është zor me i shku me një kapuç e me ja hedh një shishe acid në sy”, tha njeriu me dosje në polici.

Por një banor që më i qetë në argumentimin e të drejtës së tij. “Unë kam lajmërim që duhet të firmos kontratë me bashkinë që në të ardhmen do ta jap shtëpinë. Unë nuk e kam firmosur kontratën sepse është e njëanshme. Ne kërkojmë që të merren vesh me ne për çdo problem. Për çdo akt. Bashkia duhet të bëjë dëgjesë publike me banorët.

Ata kanë nxjerrë një VKM që prona jote shkëmbehet me X pronë. Pa u marrë vesh me ne. Nëse ai ka vendosur me i prishur dhe me na nxjerrë jashtë në rrugë të madhe duhet të bëjë një aktmarrëveshje të ndershme dhe të ligjshme. Ne nuk e kërkojmë me zor as nderin as moralin. Të veprojë në bazë të ligjit”, thotë ai.

Ndërsa zëvëndësi i tij Arbian Mazniku sqaroi procesin.

“Zona e 5 majit është shpallur si një ndër zonat e rizhvillimit për arsye të tërmetit në vitin 2020 me VKM. Banorët janë informuar në mënyrë të rregull dhe po marrin një vlerësim të drejtë për pronën që kanë.

Çdo person që ka atje një pronë apo tokë, po merr metër për metër, si për banesën edhe për truallin.

Një pjesë e madhe kanë firmosur edhe marrëveshjen për të marrë bonusin qirasë për periudhën e ndërmjetme deri kur të rindërtohen banesat e reja. Për banorë të cilët nuk ka qenë i mundur legalizimi i i banesave të tyre ato do të marrin metër për metër sipërfaqet e tyre. Është miratuar një bonus qiraje deri sa të marrin ndërtesën.

Më shumë se 75% e banorëve të zonës kanë firmosur marrëveshjen. Kemi qenë në fazën e fundit dhe kjo është për ato banorë që kanë kundërshtuar dhe ne jemi detyruar që të zbatojmë ligjin. Një pjesë e madhe e objekteve janë ndërtuar.

Sot ka qenë pjesa për të prishur 4 banesa, janë edhe rreth 10-12 banesa të tjera për të mbaruar fazën e parë. Marrëveshja për ta është e gatshme, mund të shkojnë çdo moment dhe të firmosin marrëveshjen.

Në fund të këtij procesi do të jenë shumë më mirë seç ishin më para do të kenë metër për metër që ato kishin më parë. Do të kenë një pronë plotësisht të ligjshme”, tha ai.