53-vjeçari nga Prizreni që vdiq sot ishte udhëheqës i pikë kalimit kufitar të Vërmicës

Dogana e Kosovës i ka shprehur ngushëllime familjes së oficerit doganor, i cili sot vdiq pas infektimit me COVID-19, raporton Express.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Dogana ka njoftuar se 53-vjeçari ishte ndër oficeret doganor të parë i rekrutuar që nga viti 2000 dhe se së fundi ishte udhëheqës i pikë kalimit kufitar të Vërmicës.

“Kjo është një humbje e madhe për Doganën pasi i ndjeri ishte një ndër oficeret doganor të parë i rekrutuar që nga viti 2000, i cili ka dhëne kontribut të çmuar në ndërtimin e Dogana duke shërbyer me profesionalizëm në shumë njësi të cilat edhe i themelojë dhe funksionalizojë. Së fundi i ndjeri ishte udhëheqës i pikë kalimit kufitar të Vërmicës”, thuhet në njoftim.

Sipas MSh’së, te i sëmuri, gjatë ecurisë së sëmundjes janë zhvilluar ndërlikime si pasojë e Covid-19, të cilat edhe përkundër trajtimit intensiv, pamundësuan që pacienti t’i mbijetojë sëmundjes.

“Klinika Infektive njofton se, sot në orët e pasdites, në Mjekimin Intensiv të kësaj klinike ka përfunduar me vdekje pacienti K. Q. (1967) nga Komuna e Prizrenit. Pacienti ishte hospitalizuar në Klinikën Infektive të QKUK-së në Prishtine më 13.04.2020 dhe që nga fillimi ka qenë në gjendje shumë të rënde dhe në përkujdesje intensive”, thuhet në komunikatë.

Kjo është vdekja e katërmbëdhjetë nga Covid-19 në Klinikën Infektive të QKUK-së dhe e 19-ta në nivel shteti.