A do të lërë Pal Lekaj politikën pasi u vendosë reciprociteti me Serbinë?

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka njoftuar se taksa ndaj produkteve serbe është larguar dhe do të vendoset reciprociteti sonte, e për këtë deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, rreth një muaj më parë kishte deklaruar se LDK-ja dhe LVV-ja nuk do të arrijnë të vendosin masa të reciprocitetit ndaj Serbisë. Ai kishte bërë premtim publik se do ta linte politiken nëse do të vendosej reciprociteti.

“Nëse këta arrijnë të vendosin reciprocitet, unë nuk merrem me politikë”, tha Lekaj.

Kurti ka bërë të ditur që sonte në mesnatë fillon zbatimi i reciprocitetit me Serbinë.

“Masa e reciprocitetit prej 12:00 të natës do të jetë në fuqi”, ka thënë Kurti.

Kryeministri në detyrë ka thënë se janë 10 vota pro vendimit të tij që ta zëvendësoj taksën ndaj Serbisë me reciprocitet dhe ta heq taksën 100 për qind ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës.