A rrezikohet Turqia si “strehë e sigurt” për rusët?

Pushtimi rus në Ukrainë ka nxitur një valë të sanksioneve të Perëndimit kundër Moskës, dhe të paktën një oligark dhe mijëra rusë tjerë kanë arritur në Turqi, duke e konsideruar këtë vend të sigurt për të qëndruar, investuar dhe për të ruajtur asetet, pavarësisht që Turqia është anëtare e NATO-s.

Mirëpo kjo situatë, kur Turqia konsiderohet si strehë e sigurt, rrit rrezikun për Qeverinë, bankat dhe bizneset në Turqi, të cilat mund të përballen me vendime të vështira apo edhe gjoba nëse Shtetet e Bashkuara dhe vendet tjera rrisin presionin ndaj Moskës me sanksione “dytësore”.

Pse është Turqia atraktive për rusët?

Turqia ka thënë se vendimi i presidentit rus, Vladimir Putin, për të pushtuar Ukrainën është i papranueshëm, mirëpo në parim i kundërshton sanksionet.

Ekonomia e Turqisë, veçse e goditur nga kriza aktuale dhe rritja e inflacionit, varet tejet shumë nga gazi, nafta, tregtia dhe turizmi rus.

Rreth 14,000 rusë besohet se kanë arritur në Turqi prej shpërthimit të luftës më 24 shkurt.

Një pjesë e mirë e tyre kanë pasur me vete para të gatshme, për shkak të bllokimit të kartelave amerikane dhe sfidave në operacione bazike në banka. Është raportuar se shumë rusë janë duke blerë prona, duke e konsideruar këtë gjë si investim të sigurt.

Roman Abramovich, një prej dhjetëra oligarkëve rusë të sanksionuar nga Perëndimi, ka vizituar Turqinë dhe dy super-jahtet e tij, në vlerë të rreth 1.2 miliard dollarëve janë ankoruar në ambiente turke javën e kaluar.

Oligarkët mund të investojnë edhe më shumë, kanë thënë disa burime për agjencinë e lajmeve, Reuters, raporton Rel.

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, ka thënë të shtunën se oligarkët dhe shtetasit rusë “natyrisht” se janë të mirëseardhur dhe mund të bëjnë biznes në Turqi, bazuar në ligjin ndërkombëtar.

A mund të zgjasë streha e sigurt?

Qeveritë e Perëndimit tashmë kanë konfiskuar disa asete të oligarkëve, kanë ngrirë rezervat ruse dhe kanë larguar disa institucione nga sistemi bankar SWIFT.

Ata mund t’i bëjnë presion Ankarasë që të veprojnë në vendet tjera ku ka hapësirë.

Analistët besojnë se Perëndimi mund të vendosë sanksione dytësore ndaj atyre që bëjnë biznes me shënjestrën kryesore, Rusinë.

Nëse vazhdon tragjedia humanitare dhe [presidenti rus, Vladimir] Putin nuk jep shenja të ndaljes, mendoj se sanksionet dytësore janë të pashmangshme”, ka thënë Hakan Akbas nga Shërbimet Këshillimore Strategjike, institut me bazë në Stamboll, që merret me sanksione.

“Perëndimi do të ketë më shumë vëmendje ndaj vendeve që mund të kthehen në streha të sigurta”, ka thënë ai.

“Duart e Ankarasë do të ishin të lidhura… dhe nuk do të kishte zgjidhje tjetër veçse të merret qëndrim më i ashpër ndaj Rusisë”.

Kjo gjë mund të shkundë bankat turke dhe kompanitë që merren me klientë rusë, apo që bëjnë biznes jashtë shtetit.

Më 2020, Departamenti amerikan i Thesarit ka vendosur sanksione dytësore ndaj Drejtorisë së industrisë për Mbrojtje, shefit të saj dhe të tjerëve që kanë qenë të lidhur me blerjen e raketave ruse S-400 nga Ankaraja.

Megjithatë, përpjekjet e Turqisë për të ndërmjetësuar mes Moskës dhe Kievit, mund të ndikojnë në shmangie të sanksioneve.

Një tjetër rund i bisedimeve për paqe pritet të zhvillohet këtë javë në Turqi.

Kryeministri holandez, Mark Rutte ka mirëpritur rolin diplomatik të Ankarasë, duke shtuar se “ne do të dëshironim shumë që Ankaraja të zbatonte të gjitha sanksionet”.

Si janë duke u përgatitur bankat dhe kompanitë?

Të përballur me një valë të re konsumatorësh rusë, bankat ruse kanë rezistuar ndaj disa kërkesave për depozitime dhe transfere, si dhe kanë rritur kontrollet nga frika e shkeljes së sanksioneve. Kjo gjë ka zemëruar disa rusë.

Mirëpo kjo gjë tregon se bankat janë të vëmendshme për të mos përsëritur një situatë të disa vjetëve më parë, kur banka shtetërore huadhënëse, Halkbank është ndjekur penalisht në Shtetet e Bashkuara, meqë është akuzuar se ka ndihmuar Iranin t’iu shmanget sanksioneve amerikane.

Rregullatori bankar ka thënë se nuk ka dhënë udhëzime për të kufizuar qytetarët e ndonjë shteti.

Mirëpo një burim brenda rregullatorit ka thënë se sanksionet konsiderohen “rrezik i ri” dhe se kompanitë janë takuar disa herë për të diskutuar, prej shpërthimit të luftës.

Akbas ka thënë se kompanitë e mëdha turke kanë më shumë se 10 miliardë dollarë si asete në Rusi, dhe Moska tani po bën presion që ato t’i paguajnë punëtorët, apo rrezikojnë falimentimin.

Shumica prej tyre duhet të marrin vendime nëse duhet të largohen nga Rusia, siç kanë vepruar shumë kompani amerikane dhe britanike.

Çfarëdo vendosje e sanksioneve mund të dëmtojë imazhin e Turqisë në mesin e investitorëve të huaj.

Imazhi i saj është goditur vitin e kaluar kur një kompani vëzhguese ndërkombëtare, Financial Action Task Force, e ka renditur Turqinë në listën gri, për dështim në parandalim të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.