FOTO&VIDEO

A u përfshi në “Safarin e Sarajevës”? Vuçiç mohon akuzat

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka mohuar çdo përfshirje në një “safari njerëzore” gjatë luftërave në Ballkan në vitet 1990, kur thuhet se të huaj të pasur paguanin për të gjuajtur banorët e qytetit të rrethuar të Sarajevës me snajperë.

The Times shkruan se Vuçiç, reagoi ndaj pretendimeve të gazetarit investigativ Domagoj Margetiç, i cili tha se presidenti serb kishte bashkëpunuar me turistët që paguanin për të vrarë në vitet 1992 dhe 1993, kur ai ishte vullnetar në një milici serbo-boshnjake që kishte marrë nën kontroll një varrezë hebraike mbi Sarajevë. “Besoj se ai ishte i përfshirë në safarin e Sarajevës,” shprehej Margetiç.

Gazetari kroat i ka dërguar akuzat e tij gjykatësve në Milano, të cilët kanë hapur një hetim mbi raportet se grupe të huajsh paguanin deri në 88 mijë paund për të marrë pjesë me luftëtarët serbo-boshnjakë në kodrat rreth Sarajevës gjatë rrethimit 1992-96, ku mbetën të vrarë mbi 11 mijë e 500 persona. Thuhet se sulmuesit vinin nga Europa dhe Rusia dhe paguanin shtesë për të vrarë fëmijë.

Hetimi në Milano bazohet në prova të dhëna nga shkrimtari italian Ezio Gavazzeni, i cili tha se një ish-oficer i inteligjencës boshnjake i kishte dhënë informacion për sulmuesit italianë, përfshirë pronarin e një klinike private në Milano të specializuar në kirurgji estetike. Gavazzeni nisi hetimin pasi pa dokumentarin e vitit 2022 Sarajevo Safari, nga regjisori slloven Miran Zupaniç, ku një ish-spiun amerikan i paidentifikuar pretendonte se kishte parë të huaj në Sarajevë që paguanin për të vrarë civilë.

Tani Margetiç ka sugjeruar se Vuçiç ishte aty. “Nuk ka dyshim se në vitet 1992 dhe 1993 Vuçiç ishte në varrezën hebraike, që ishte pozicioni më ekskluziv dhe më i shtrenjtë për gjuetarët e huaj,” pretendoi ai.

Pretendimet u mohuan fuqimisht nga zëdhënësja e Vuçiçit, Suzana Vasiljeviç, e cila i cilësoi si “një rast tipik i dezinformimit dashakeq, i ndërtuar për të minuar besueshmërinë institucionale të Republikës së Serbisë dhe presidentit të saj. Ky rrëfim është pa bazë faktike dhe i fabrikuar për të shkaktuar dëm reputacional.”

Ajo tha se Vuçiç, atëherë në fillim të të njëzetave, punonte si gazetar dhe përkthyes në Pale, “pa asnjë kontakt me strukturat ushtarake apo aktivitete operacionale”. Vasiljeviç shtoi: “Presidenti Vuçiç nuk mori pjesë në aktivitete luftarake, nuk përdori armë dhe nuk kishte rol në operacione të kohës së luftës.”

Megjithatë, Margetiç pretendoi se kishte prova që Vuçiç ishte vullnetar në një milici të drejtuar nga Slavko Aleksiç, duke nisur nga një intervistë në një revistë të vitit 1994 ku Vuçiç kishte thënë se kishte luftuar si vullnetar në varrezën hebraike. “Pra, kujt t’i besojmë, Vuçiçit të vitit 1994 apo Vuçiçit të vitit 2025?” tha Margetiç.

Ai pohoi se Aleksiç kishte deklaruar në vitin 2017 se Vuçiç ishte pjesë e njësisë. “Aleksiç nuk e konfirmoi apo mohoi që ‘Safari’ ndodhi, por tha se kur mbërrinin të huajt, Vuçiç u përkthente atyre.”

Margetiç pretendoi se një video e filmuar në atë kohë në varrezë e tregonte Vuçiçin duke mbajtur një pushkë serbe “PAP”, ndërsa Vasiljeviç tha se ishte një tripod që ai përdorte si gazetar, duke shtuar se “këto akuza të fabrikuara” nuk janë gjë tjetër veçse “manipulim tabloidësh”.

Një tjetër video tregon një makinë të përdorur nga Aleksiç, ku mbi kapak shfaqej një kafkë njerëzore, e marrë nga një trup boshnjak, e veshur me helmetë të OKB-së.

Të enjten, në Itali dolën prova të tjera që mbështesin akuzat për vizitorët e huaj. Michael Giffoni, një diplomat italian i bazuar në Sarajevë në atë kohë, tha se ishte informuar se “karroca me njerëz të pasur po mbërrinin nga kudo. Gjuetarë, por edhe biznesmenë.”

Ai i tha La Repubblica se një zyrtar i inteligjencës boshnjake, Edin Subasiç, kishte informuar oficerët italianë të inteligjencës në qytet se një paramilitar serb i kapur kishte pranuar se rusë dhe italianë fluturonin në Trieste, në verilindje të Italisë, dhe më pas dërgoheshin në Sarajevë për të qëlluar.

Giffoni tha se informacioni iu përcoll shërbimit sekret italian në Romë, i cili disa muaj më vonë u përgjigj se pas hetimeve, organizatorët ishin identifikuar dhe fluksi i qitësve nga Italia ishte ndalur.


FM IMAGES

FM IMAGES ALBANIA - Copyright © 2025 e-mail: info@fmimages.net. All Rights Reserved.

Recent Posts

  • POLITIKE

Haxhiu s’vazhdon me votim për zgjedhjen e Presidentit: S’ka kuorum, s’janë 80 deputetë, po e ndërpres

Nuk ka pasur kuorum për raundin e parë të votimit të Presidentit. 66 deputetë ishin…

2 orë ago
  • KRYESORE

S’ka kuorum për t’i votuar amendamentet, seanca për zgjedhjen e Presidentit nga ora 22:00

Nuk ka pasur kuorum për propozimet e amendamenteve kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani…

4 orë ago
  • BOTA

Mediat iraniane pretendojnë se Garda Revolucionare e Iranit ka goditur me dronë aeroplanmbajtësen Abraham Lincoln

Televizioni shtetëror iranian raportoi mbrëmjen e së enjtes se dronët e Gardës Revolucionare ushtria ideologjike…

4 orë ago
  • POLITIKE

Kuvendi del me njoftim për seancën e thirrur për amendamentet e Presidentes

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë ftuar në seancën lidhur me amendamentet për zgjedhjen e…

5 orë ago
  • KRYESORE

Trump i thotë Teheranit: Unë personalisht do ta zgjedh ajatollahun tuaj të ri!

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se dëshiron të përfshihet në zgjedhjen…

5 orë ago
  • KRYESORE

Osmani kërkon ndryshime kushtetuese: Presidenti të zgjidhet direkt nga populli

Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se të enjten i ka dërguar në Kuvend amendamentet kushtetuese…

8 orë ago