Me gjashtë fluturime të rregullta në javë aeroporti ndërkombëtar i Kukësit po kthehet në një destinacion të kërkuar nga shumë qytetarë. Janë nga shumë qytete e vende të ndryshme të rajonit, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi, por nuk mungojnë edhe turistë që udhëtojnë për herë të parë drejt Kukësit, sikur është një çift i ri nga Stambolli.
Nuk janë menduar dy herë por sapo kanë parë një aeroport të ri në hartë, që ka afër Shkupin, Podgoricën, Prishtinën, por edhe çmime të lira kanë fluturuar me drejt Kukësit.
“Vij nga Stambolli, udhëtimi ishte i mirë dhe shumë i këndshëm. Do të vizitojmë Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Dua të njoh kulturën e këtyre vendeve. Do të bëjmë pushime në det. Jam shumë kureshtare për të njohur këto vende sepse më kanë thënë se kanë gatime shumë të mira veçanërisht qoftet” tha vajza.
“Vij për herë të parë në Shqipëri. Udhëtimi me avion nga Stambolli, ishte i mirë, komod dhe me çmim të lirë. Do të vizitojmë Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe do të pushojmë në bregdetin shqiptar” tha i riu.
Ndërsa një qytetar nga Shkodra po pret të birin që jeton në Stamboll dhe ka zgjedhur Kukësin sepse kosto e udhëtimit është dyfish më e mirë. Pa mbushur dy javë nga hapja shifrat zyrtare për udhëtarët janë optimiste e po vijë gjithnjë e në rritje.
Policia Kufitare e Kukësit thotë se që nga fluturimi i parë më 9 korrik e deri sot në aeroportin ndërkombëtar të Kukësit “Zayed Flatrat e Veriut”, kanë mbërritur 825 qytetarë, si dhe janë larguar 236.