Agron Neza, qytetari shqiptaro amerikan që përmendet në dosjen hetimore të ish-agjentit të FBI, Charles Mcgonigal, ka reaguar ekskluzivisht për Euronews Albania për akuzat në adresë të tij.
Për gazetaren Raziela Myslimaj, Neza u shpreh se me Ramën është takuar në vitin 2017 në zyrën e Kryeministrisë, nëpërmjet McGonigal të cilin e kishte mik.
Më pas, ai është takuar edhe disa herë të tjera me kreun e qeverisë shqiptare, teksa theksoi se me të nuk ka biseduar asnjëherë për çështje biznesi.
Neza i cilëson akuzat e ish-kryeministrit Sali Berisha se paratë ishin për lobim të qeverisë kundër tij, si shpifje. Ndër të tjera, Neza tha se babai i tij ka qenë një ndër miqtë më të afërt të Berishës.
Reagimi i Agron Nezës për Euronews Albania
Babai im, Bajram Neza, që Saliu e kishte një nga miqtë më të afërt, ka qenë nje nga drejtuesit e Tropojës nga fillimi i viteve 70’ deri në 1987 dhe diku në 1983-1984. Me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama jam prezantuar diku në vjeshtën e vitit 2017 nëpërmjet mikut tim Charles Mcgonigal, ish-Drejtor i Zyrës së Kundërspiunazhit të FBI-së për Nju Jorkun, në ndërtesën e Zyrës së Kryeministrit, takim që zgjati ndoshta më pak se dy minuta.
Pas këtij takimi, jam takuar dhe disa herë të tjera dhe në këto takime ka pasur edhe njerëz të tjerë. Nuk mund të them që Kryeministri i Shqipërisë është miku im, e as unë miku i tij përveçse një i njohur. Asnjëherë me kryeministrin Rama nuk kam biseduar çështje biznesi dhe as parash, e gjithashtu mund të them të njëjtën gjë dhe për stafin e tij, me të cilët mund të njihem, siç njoh dhe kam miq dhe të PD, PR, PSD, PL e të tjera parti në Shqipëri.
Përsa i përket problemit që Sali Ram Berisha po flet, duke shpifur se paratë që i kam dhënë mikut tim Charles McGonigal janë para të Kryeministrit Edi Rama apo njerëzve të tij, kjo kategorikisht nuk është e vërtetë.