“Të gjitha palët kanë kryer shumë krime dhe mendoj se ata që i kanë kryer këto krime, kush ka kryer çdo lloj krimi, duhet të mbajë përgjegjësi dhe kjo është ajo që mund të them. Unë nuk kam qenë kurrë një njeri që do të fshihte dikë apo që do t’i vinte turp nga diçka që dikush ka bërë. Unë nuk kam bërë asnjë krim për t’ju thënë të vërtetën,” me këto fjalë iu përgjigj presidenti serb Aleksandër Vuçiç pyetjes së gazetares Ilva Tare nëse z. Vuçiç mendonte se ishte koha që t’i kërkohej falje shqiptarëve për krimet e luftës në Kosovë, sikurse liderët serbë kanë bërë në të shkuarën me Bosnjen dhe Kroacinë.
“Kush ka kryer (krime), ata njerëz duhet të jenë shumë të përulur, shumë modestë kur i thonë shumë gjëra popullit për të cilin kanë bërë gjëra kundër. Unë nuk kam marrë pjesë në këtë,” tha presidenti Vuçiç.
Gazetarja dhe drejtorja e lajmeve të Euronews Albania, znj. Ilva Tare e çoi më tej pyetjen kur i kujtoi presidentit Vuçiç se kritikët e tij më të mëdhenj pretendojnë se ai ka qenë makineri e propagandës dhe se i ka mbështetur ato krime.
“Nuk e kam bërë kurrë këtë dhe nuk e kam thënë kurrë këtë por nëse ju thoni kështu, nëse është më e lehtë për ju, nëse kjo do ishte arsye e mjaftueshme për të mbështetur në një farë mënyre teoritë tuaja konspirative, ju uroj më të mirat,” tha z. Vuçiç duke braktisur intervistën.
Më herët presidenti serb ishte shprehur se pavarësisht anës që i përkasin ata që kanë kryer krimet, qofshin shqiptarë, serbë, kroatë apo boshnjakë “duhet të dalim nga kjo periudhë kohore dhe të krijojmë një të ardhme të ndryshme dhe shumë më të mirë për ne”.