Në 111 vjetorin e lindjes së shenjtores, Nënë Tereza, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Gonxhja është emër botëror dhe shembull i mirësisë.
“Ajo ishte një nga nënat shqiptare që me bujari i ndihmoi atë që kishin nevojë. Ajo frymëzoi me mijëra e milionë njerëz. Ajo me lutje na përcjell edhe sonte në rrugën tonë si komb. Gonxhja lindi shqiptare në këto treva. Ajo është një shembull dhe e shenjta e mirësisë”, ka thënë Kurti.
Bashkë me ministrin Hajrullah Çeku dhe Rozeta Hajdari kanë marrë pjesë në manifestimin e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve.
Në sheshin “Nënë Tereza”, Don Lush Gjergji ka thënë se Nënë Tereza kishte mbi 130 shpërblime ndërkombëtare. Sipas tij, ajo ka nderuar popullin shqiptar, duke shpërfaqur të mirat e kombit.
“Uroj që manifestime të tilla të mos jenë vetëm nderime, por mbi të gjitha të kemi shpirtin terezian. Të frymëzohemi dhe të jetojmë siç veproi e jetoi ajo”, ka thënë ai.