Ambasada amerikane në Prishtinë, ka reaguar për helmimet e qytetarëve në Komunën e Deçanit. Në një postim në Twitter ambasada e ShBA-së ka bërë thirrje që të injorohen thashethemet dhe të pritet për faktet, raporton Gazeta Express.
Ambasada amerikane në reagim ka shkruar se nga testet e para Ministria beson se bakteriet janë shkaku i simptomave të të helmuarve.
“Mendimet tona janë me ata që vuajnë nga emergjenca shëndetësore në Deçan. Megjithëse do të kryhen më shumë teste, Ministria e Shëndetësisë beson se bakteret janë shkaku i mundshëm i simptomave. Gazetarë, qytetarë – injoroni thashethemet. Prisni për fakte”, thuhet në reagim./Express/
Në mostrat e ujit të marra nga IKSHPK në Deçan janë identifikuar bakterie të cilat japin indikacione për kontaminim të ujit të pijshëm. Në këtë komunë tashmë rreth 2 mijë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të helmimit. Qytetarët janë shprehur se dyshojnë që helmimi u ka ardhur nga uji.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë të ditur se në mostrat e ujit të marra me datën 12. 07. 2021 nga rajoni i Deçanit janë identifikuar disa bakterie që mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijshëm.