Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, tha se nënshkrimi i marrëveshjeve për projektet e gjenerimit të energjisë elektrike nga era në fshatin Selac, Bajgorë, me kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej 105 megavatësh është projekti më i madh që ka ndodhur në Kosovë për energji të ripërtërishme.
“Ky projekt gjeti mbështetje financiare edhe nga bankat prestigjioze ndërsa mbulesa financiare është ofruar nga agjencia gjermane. Soëi-Kosovo, ndërmarrja me pronësi kosovare-gjermano-izraelite, është edhe investitori i parë i shpallur strategjik në Kosovë do të vendosë 27 turbina në rajonin e Bajogrës për të prodhuar energji pa dëme në mjedis”.
“Kjo energji elektrike është më se e domosdoshme në vendin tonë dhe me këto kapacitete ne përmbushim caqet për energji të ripërtërishme më herët sesa jemi zotuar. Projekti do të përfundojë së ndërtuari në vitin 2021. E veçanta e projektit është se ka bashkuara shtete të ndryshme si Kosovën, SHBA-në, Gjermaninë, Izraelin, Slloveninë dhe Austrinë. Përmbyllja financiare po bëhet pikërisht në ditëlindjen e shtatë të BERZH-it që është shembulli më i mirë i bashkëpunimit”.
“Kosova iu ka qëndruar pranë investitorëve të vendit dhe të huaj, si dhe iu ka ofruar kushtet. Nga kjo ka rezultuar me më shumë se 20 leje. Dua të falënderoj administratën dhe personelin për profesionalizmin e kërkuar me të cilin kanë punuar”.
“Po ashtu një falënderim personal është për ambasadorin Christian Heldt. Ka filluar një epokë e re dhe më e madhja që ka ndodhur”.
Nga ana tjetër ambasadori gjerman Christian Heldt tha se ky bashkëpunim dhe e besnikëri është mënyra më e mirë për të tërhequr investime e huaja dhe strategjike.
“Në ceremoninë e nënshkrimit me të gjithë akterët e përfshirë nënkupton se ishte një punë e vërtetë ekipore. Ky është projekti i parë i tillë në kornizën ligjore për investime strategjike”.
“Si ambasador jam krenar që një projekt i tillë për energjinë e ripërtërishme mund të bëhet dhe falënderojmë të gjitha palët e përfshira dhe qeverinë kosovare”.
“Është punë shumë e madhe që tregon se kur ka një kornizë të mirë mund të merrni investitorë që asnjëherë nuk kanë investuar në një dimension të tillë më parë. Ky nënshkrim ka qenë mbresëlënës dhe tregon që bashkëpunimi shpie në rezultatet”.
“Vendndodhja është duke u zhvilluar dhe shpejt do të shohim rezultate precize, energjia e ripërtërishme shpie drejt një të ardhme të mirë të Kosovës. Në këtë Krishtlindje dhe periudhë të vitit të gjithë e hasim nevojën për energji të ripërtërishme”.
SOWI-Kosova ka nënshkruar marrëveshje me General Electric për furnizimin me 27 turbina të erës, që do të vendosen në fshatin Selac në Bajgorë, deri sa aktivitetet e ndërtimit dhe ato infrastrukturore udhëhiqen nga kompania gjermane NOTUS Energy.