Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës së Apelit, ka kthyer në rigjykim rastin e Shaban Gogajt, i cili nga Gjykata Themelore në Pejë, është dënuar me 7 vjet e gjashtë muaj burgim, për vrasjen e Agonis Tetajt.
Ky vendim është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan. “Anulohet aktgjykimi ndaj të akuzuarve Sh.G. dhe I.C., ndërsa çështja kthehet në rigjykim dhe rivendosje. Me aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Departamentit për Krime të Rënda, është aprovuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Gjilan-Departamenti për Krime të Rënda, ashtu që aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është anuluar dhe çështja është i kthyer të njëjtës gjykatë në rigjykim dhe rivendosje”, thuhet në njoftimin e Apelit.
Sipas njoftimit Apeli ka vlerësuar se Themelorja nuk i ka vlerësuar në masë të duhur të gjitha provat të cilat e karakterizojnë çështjen penale.
“Në arsyetim të aktvendimit gjykata e shkallës së dytë ka theksuar se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është përfshirë me shkelje të cilat nuk mund të jenë pjesë përbërëse e çështjes penale dhe të njëjtat aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, e bëjnë të pa kuptueshëm dhe është e vërtetë se në këtë çështje penale, është mbajtur shqyrtimi gjyqësor dhe është nxjerrë aktgjykimi, mirëpo gjykata e shkallës së parë nuk i ka vlerësuar në masë të duhur të gjitha provat të cilat e karakterizojnë çështjen penale”, thuhet në njoftim.
Tutje është theksuar se gjykata e shkallës së parë nuk ka vlerësuar ekzistimin e veprës penale, për të cilën e ka shpallur fajtor të akuzuarin.
“Rezulton se në masë të duhur nuk janë vlerësuar të gjitha provat të cilat janë pjesë përbërëse e kësaj lënde penale për të gjetur përfundimin e rikualifikimit të veprës penale nga vepra penale e vrasjes së rëndë, nga neni 179 par.1 pika 1.5 të KPK, në veprën penale të vrajës nga pakujdesia, nga neni 181 të KPK, si dhe motivin e kryerësit të veprës penale. Ndërsa sa i përket çështjes së paraburgimit, i njëjti është shqyrtuar por kolegji i kësaj gjykate ka ardhur në përfundim se i njëjti duhet të zgjatet, ngase ende ekzistojnë kushtet ligjore, që i akuzuari Sh.G., të qëndroj në paraburgim”, thuhet në njoftim.