Shoqata për krime lufte “Gjakova ’98-99“ ka dorëzuar kontingjentin e trembëdhjetë të padive me rreth 102 kallëzime penale të bëra nga qytetarët e Gjakovës ndaj serbëve të dyshuar për krime lufte.
Dorëzimi i padive dhe dokumenteve u bënë në Policinë e Kosovës- Departamenti i Krimeve të Luftës në Prishtinë.
Në emër të shoqatës, para mediave ka folur Shkëndije Hoda. Ajo tha se ky është bashkëpunimi i parë me Policinë e Kosovës dhe kanë besim në rezultate pozitive.
“Ky është bashkëpunimi i parë me policinë, direkt po i sjellim këtu. Qëllimi i këtyre dëshmive është një ndihmesë që ne i ofrojmë më tepër dëshmi rreth një krimi, japim më tepër fakte. Policia ka vullnet dhe shpresojmë për rezultate pozitive. Veprimi i policisë në Komunën e Gjakovës është shumë i madh dhe merren çdo ditë në pyetje dëshmitarë. Ky process ndoshta do të zgjat me vite, por jemi të bindur që rezultatet do të jenë pozitive”, u shpreh Hoda, përcjell Indeksonline.
Ajo shtoi se rastet kanë të bëjnë që nga maltretimet fizike, vrasjet e deri të shkatërrimi i pasurisë në Komunën e Gjakovës.