Ismajl Ismajli, referent në Gjykatën Themelore të Prishtinës, është arrestuar gjatë ditës së djeshme nga Policia e Kosovës për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale të “marrjes së ryshfetit”, raporton Gazeta Sinjali.
Burime të Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë Themelore të Prishtinës, kanë bërë me dije se Ismajli është arrestuar nën dyshimin se ka marrë 4 mijë euro ryshfet, nga një person i cili kishte djalin në paraburgim.
Këto para i ishin dhënë Ismajlit me qëllim që personi I.S (emër i njohur për redaksinë) të lirohej nga paraburgimi.
Dyshohet se paratë zyrtarit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, ia kishte dhënë personi Bujar Pajaziti, i cili është tezak i Ismajlit.
Gazeta Sinjali gjatë ditës së djeshme raportoi se referenti i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Ismajl Ismajli dhe referenti i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Fadil Krasniqi, janë arrestuar nga Policia e Kosovës.
Prokuroria Themelore e Prishtinës, përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se janë arrestuar katër persona nën dyshimin për “ryshfet”, dy prej të cilëve kanë qenë të zyrtarë të sistemit të drejtësisë.