Julian Meçaj, i njohur si numri dy i “Bandës së Durrësit” dhe mbi të cilin rëndon një masë sigurie arrest me burg e dhënë nga Gjykata e Posaçme, është ndaluar nga autoritetet në Dubai.
Policia e Shtetit bën me dije se 47-vjeçari, i cili akuzohet si një nga autorët e atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja, kryer më 1 nëntor 2019 në mbikalimin e Shkozetit, është vënë në pranga falë bashkëpunimit të zyrave të Interpolit në Tiranë dhe Abu Dhabi.
“Interpol Tirana, në vijim të bashkëpunimit me homologët në Emiratet e Bashkuara Arabe, ka shkëmbyer informacion për një shtetas shqiptar në kërkim ndërkombëtar që fshihej në Dubai. Në bazë të informacioneve të shkëmbyera mes palëve, është organizuar operacioni policor i koduar “Tentativa”, si rezultat i të cilit është kapur në Dubai dhe është arrestuar me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar: J. M., 47 vjeç. Në vitin 2019, në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit, shtetasi J. M., në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit me të cilin udhëtonin shtetasit A. N. (me detyrë prokuror i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës), A. L. dhe shtetasi A. M. Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën shtetasi A. M. dhe dhe janë plagosur shtetasit A. N. dhe A. L. Interpol Tirana vijon procedurat në bashkëpunim me Interpol Abu Dhabin, për ekstradimin e shtetasit J. M., drejt vendit tonë”, sqarojnë uniformat blu.
Meçaj rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, teksa akuzohet për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publike” mbetur në tentativë, “Vrasja”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, “Vjedhja” kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Sigurimi i kushteve/mjeteve për të kryer vrasje”.
SPAK në komunikatën për media ku zbardhte rolet e të gjithë të akuzuarve si pjesëmarrës në atentatin ndaj Ndojës dhe personazhit të botës së krimit, të njohur si “Rrumi i Sukthit”, konstatonte: “Gjatë hetimit janë grumbulluar prova të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shtetasit P. D., E. S., J. M. A. SH., R. RR. Etj., kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga nenet 80, 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal, në dëm të shtetasve Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho.”
Në vitin 2019, Meçaj u vendos në shënjestër të një atentati të ndodhur përgjatë autostradës Tiranë-Durrës, ku ndaj makinës “Range Rover” me të cilën ai udhëtonte, u qëllua me rreth 40 plumba.