Avokati nga Drenasi, Gazmend Halilaj, i plagosur sot para shtëpisë së tij në Drenas, para tri ditësh tha se ka pranuar një telefonatë nga Sami Lushtaku, kryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Skenderaj.
Halilaj, të dielën në mbrëmje pretendoi të jetë kanosur nga Lushtaku përmes një bisede telefonike. Tha se ish-kryetari i Skenderajt është nisur në drejtim të shtëpisë së tij.
“Miq Sami Lushtaku më kanosi dhe sipas tij u nis në drejtimin timin. O Sami Lushtaku je vetëm një leckë për mu. Hajde”, ka shkruar Halilaj në një postim në Facebook të dielën në mbrëmje.
Në postimin e tij në rrjetin social Facebook, Halilaj publikoi të dhënat e thirrjes telefonike.
Sipas fotografisë së publikuar nga avokati Halilaj, thirrja kishte ardhur nga Amir Lushtaku, asistent i Sami Lushtakut. Të njëjtin postim, Halilaj e ka fshirë nga Facebook-u.
Insajderi ka kontaktuar me Amir Lushtakun të martën, mirëpo ai ka thënë se nuk dëshiron të prononcohet për thirrjen telefonike.
Avokati Halilaj është plagosur sot përpara shtëpisë së tij në Drenas.
Halilaj, përmes një postimi në Facebook të martën, ka thënë të jetë plagosur dhe gjuajtur me armë zjarri nga disa persona.
“Vëllezër para shtëpisë time më gjuajtën me më vra. Kam plagë në trup”, ka thënë Halilaj.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, e cila ka thënë se dy persona e kanë sulmuar avokatin, i cili është lënduar nga përleshja me ta.
“Në ora 15:50, policia është njoftuar për një rast në Drenas. Rastit i janë përgjigjur menjëherë njësitet relevante policore. Nga informatat e para të marra nga vendi i ngjarjes, dyshohet se dy persona ta kenë sulmuar ankuesin”, ka thënë Policia e Kosovës.
Sipas Policisë, në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja të armës.