Çedomir Stojkoviq, avokati i politikanit opozitar serb, Nikola Sanduloviq, i cili bëri homazhe të enjten në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, është ndaluar në nga autoritetet e Serbisë në kufi për katër orë dhe më pas është liruar.
Ai ka shkruar në platformën ‘X’, se pasi është për 4 orë nga anëtarët e Agjencisë së Sigurisë Informative të Serbisë, është lejuar të lëviz lirisht.
“ Zyrtarët e BIA-s që folën me mua kishin një qasje profesionale. Ata bënin pyetje që i interesonin dhe u sollën me shumë edukatë. Nuk ndjeva asnjë armiqësi pavarësisht dallimeve natyrore që kemi. Shpresoj që fjalët që dëgjuan nga unë do të jenë po aq ndriçuese sa janë. Paraburgimi im prej katër orësh (maksimumi ligjor) është rezultat i vendimeve të dikujt tjetër. Gjatë asaj kohe kemi pasur mundësi të shkëmbejmë mendime pa tension. Pa dyshim, ndoshta prokurori publik në Beograd mendon ndryshe. Të shohim kur të vijë”, shkroi ai në ‘X’.
Avokati serb, Çedomir Stojkoviq, vendosi lule mbi varrin e Blerina Jasharit në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Ai tha se askush “nuk do të na pengojë të ecim në rrugën e pajtimit, paqes, solidaritetit dhe drejtësisë”.
Blerina ishte 7-vjeçare kur u vra nga forcat serbe në vitin 1998.
Stojkoviq, shtetas i Serbisë, është avokat i politikanit opozitar në Serbi, Nikolla Sandulloviq, i cili u arrestua më 3 janar 2024, pak kohë pasi publikoi fotografi nga kompleksi memorial në Prekaz.
Ai u arrestua nën dyshimet “se ka kryer vepër penale të nxitjes së urrejtjes dhe mosdurimit kombëtar, racor dhe fetar”. Ndërkohë ai u lirua, por iu konfiskua pasaporta.