Bota perëndimore ka kohë që është shqetësuar me propagandën ruse. Mirëpo, në katër muajt e fundit, veçmas prej paraqitjes së COVID-19, ajo është rritur shumë.
EUvsDISINFO, ka gjetur se mediat pro-Kremlinit mbulojnë në mënyrë aktive 20 gjuhë, por nga më aktivet janë dezinformatat proruse në gjuhën angleze, ruse, serbe dhe arabe.
Mesatarja e lajmeve të rreme, në katër muajt e fundit është rritur rreth 60 raste të reja në javë, përkatësisht 250 më shumë për çdo muaj.
Në katër muajt e fundit, janë shënuar gjithsej 8000 raste të reja dezinformomi.
Më tej në studimin e EUvs DISINFO thuhet se një pjesë e konsiderueshme lidhen me virusin COVID-19.
Për Kremlinin, thuhet aty, kjo temë konspirative ka vazhduar të lulëzojë.
Rusët e trajtojnë atë në forma të ndryshme dhe sipas natyrës së vendit e përshtatin atë.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu, ka thënë për Kosovapress, se “Virusi Corona është shfaqur si mundësi e madhe për Kremlinin dhe mediat ruse që ta zhysin Perëndimin në kaos. Konstatimi i EUvs DISINFO, tregon edhe për objektivat gjeografike në mënyrë specifike të Moskës. Listimi i serbishtes në kuadër të gjuhëve më të përdorshme për shpërndarje të dezinformimit, tregon se një nga caqet kryesore për ta goditur është Ballkani dhe vet vendi ynë”.
Megjithatë, sipas Musliut, kjo mund të jetë edhe një “vetëdijesim mu për audiencën evropiane se rusët kësi raste presin, dhe kjo të shërbejë që edhe për çështje të tjera jashtë COVID-19, lajmet që kanë burim Kremlinin dhe mediat që ai përkrah kudo në botë, të merren shumë me rezerva”.
Sipas EUvsDISNFO, mediat proruse kanë në të shumtën e rasteve virusin e kanë quajtur si “armë biologjike”, duke i akuzuar kështu kryesisht institucionet amerikanë, nisur nga “USAID, pastaj grupet terroriste të lidhura me CIA-n”, etj.
Hulumtimi ka vërejtur se janë shpërndarë dezinformacione edhe ndaj Pentagonit, Bill Gates, por edhe ndaj Britanisë së Madhe.
Agim Musliu, duke interpretuar këtë, ka thënë se: “Rusia ka për qëllim ripozicionimin gjeopolitik të saj. Ajo po keqpërdor këtë fatkeqësi njerëzore, e cila nuk zgjedh nacionalitet dhe asgjë tjetër, me të vetmin qëllim që ta prish rendin botëror. Mirëpo, unë jam shumë i sigurt, se përkundër kësaj, edhe vet krahët ekstremë djathtistë apo majtistë, të cilët janë shfaqur viteve të fundit në Evropë, e kanë kuptuar dhe do ta kuptojnë edhe më shumë se qëllimi rus nuk është në të mirë të tyre”.