Ballkani në prag të luftës, Vuçiçi si Putini, synon të krijojë “Srpski Svet”, Botën Serbe

Nga Walter Mayr “Der Spiegel”

Kur flitet për sinjalet më të reja që vijnë nga Evropa Lindore dhe Juglindore, Ministria e Jashtme austriake ka një nuhatje shumë të fortë. Tek e fundit, qyteti i Lvivit, i quajtur dikur Lemberg, u sunduan së bashku me Sarajevën dhe Banja Lukën në Bosnje nga Vjena deri në vitin 1918.

Ndaj diplomatët austriakë po shohin këto ditë me shqetësim jo vetëm situatën në Ukrainë, por edhe zhvillimet në Ballkan. “Ne e dimë se Moska ka aftësinë të shkaktojë probleme edhe në zona të tjera të botës”- thotë Alexander Schallenberg, shefi i diplomacisë austriake.

Në Ballkan, thotë ai, më e rrezikuar është Bosnja.

Nëse konflikti zgjerohet nga Ukraina në vendet e ish-Jugosllavisë, pasojat në Evropë do të ishin shkatërrimtare, paralajmëron Schallenberg. “Nëse në Ballkanin Perëndimor do të shpërthente një luftë e re, kjo do të nënkuptonte në thelb një konflikt në oborrin e pasmë të BE-së”- thekson ai.

Prandaj ai këmbëngul se 6 vendet e mbetura jashtë BE-së në Ballkan, duhet të integrohen në bllok sa më shpejt që të jetë e mundur. “Kjo është vetëmbrojtje, dhe jo altruizëm”- thotë ai.

Sinjalet që vijnë nga rajonet e populluara nga serbët – të afërmit ortodoksë të Rusisë –

janë realisht shqetësuese. Përveç Serbisë, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Bosnjën, Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Situata është veçanërisht e zymtë në entitetin me shumicë serbe të Bosnje Hercegovinës, Republika Srpska. Me bekimin e Moskës, kryeministri i saj, Milorad Dodik, i ka intensifikuar muajt e fundit përpjekjet e tij për të arritur qëllimin e tij afatgjatë:shkëputjen nga federata.

Si anëtar i presidencës trepalëshe, ai është një përfaqësues zyrtar i Bosnjës, por i referohet vendit si një “foshnje e vdekur që në bark”. Në një fjalim të mbajtur në mesin e prillit para mbështetësve të tij në Bijeljina, ai thirri: “Të fala Serbisë!”, duke mos e përmendur as edhe një herë emrin e Bosnje Hercegovinës.

Pikërisht 30 vjet pas shpërthimit të luftës në Bosnje, ku u vranë rreth 100.000 njerëz, po shtohen shenjat për një konflikt të ri të armatosur në Ballkan. Disa analistë janë të shqetësuar për një bosht luftarak që shtrihet nga Moska në Beograd dhe deri në kryeqytetin e Republikës Srpska, Banja Luka.

Ata janë të shqetësuar se separatistët e Serbisë së Madhe, mund të jenë të sigurt për mbështetjen e Kremlinit. Zivko Budimir, ish-përfaqësuesi kroat në presidencën trepalëshe, beson se Kremlini do ta mbështetësë nëse Republika Srpska e shpall pavarësinë nga Sarajeva.

A do të përpiqet Vladimir Putin të zbatojë në Bosnje modelin e krijuar në Ukrainën Lindore, me “Republikat Popullore” të Luhanskut dhe Donetskut? Që nga vjeshta e vitit të kaluar, Republika Srpska, nën udhëheqjen e Dodik, ka bllokuar shumicën e institucioneve shtetërore të Bosnjës. Janë pezulluar më shumë se 200 ligje dhe akte ligjore.

Po ashtu, Republika Srpska, e cila përbën afro gjysmën e territorit të vendit, dëshiron të krijojë ushtrinë e saj, dhe të mos njohë më juridiksionin e sistemit gjyqësor federativ dhe të organeve tatimore. Në thelb, plani është shkatërrimi i shtetit të brishtë që u krijua nga Marrëveshja e Dejtonit e vitit 1995:Federata e Bosnje Hercegovinës, brenda së cilës boshnjakët, serbët dhe kroatët myslimanë duhet të jetojnë nën një çati të përbashkët, dhe sipas rregullave të përbashkëta.

Një atentat në Sarajevë në vitin 1914, shkaktoi Luftën e Parë Botërore. Tre breza më vonë, Sarajeva ishte epiqendra e luftës më të përgjakshme që shoqëroi shpërbërjen e Jugosllavisë. Çfarë mësimesh ka nxjerrë që atëherë bota? Misioni ushtarak evropian, EUFOR Althea, e ka dyfishuar praninë e tij në rajon.

SHBA-ja dhe Britania kanë vendosur sanksione ndaj Dodik dhe udhëheqësve të tjerë të Republika Srpska. Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka shmangur deri më tani marrjen e ndonjë mase. Edhe nëse ndodh, një veto nga Hungaria e Victor Orban është thuajse e sigurt. Po ashtu edhe nga Kroacia.

Me pretekstin se popullsia kroate po diskriminohet, sidomos në Hercegovinë, lideri i kroatëve të Bosnjes, Dragan Covic i është bashkuar vazhdimisht Dodik në sulmin ndaj institucioneve të federatës. Unioni Demokratik Kroat (HDZ), që është anëtar i grupit të Partisë Popullore Evropiane të qendrës së djathtë në Parlamentin Evropian, lobon në emër të Covic në Bruksel.

Dodik është thjesht një peng në skakierën e madhe gjeopolitike të Vladimir Putinit. Ultra-nacionalisti serb po luan me zjarrin para syve të Brukselit, dhe krenohet me lidhjet e tij të ngushta me shefin e Kremlinit, që e priti Dodik sërish në Moskë në dhjetor 2021.

Udhëzimet strategjike i komunikohen rregullisht Dodik nga Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ose ambasadori rus, Igor Kalabuchov. Ky i fundit e ka bërë të qartë se çfarë mund të presë Bosnja nëse do kërkojë të kalojë nga Partneritetit për Paqe tek anëtarësimi në NATO.

“Ne e kemi treguar në Ukrainë. Nëse ka kërcënime, do të reagojmë!”- tha ambasadori rus. Por Sarajeva nuk ishte i vetmi kryeqytet, që i interpretoi si një kërcënim të hapur fjalët e tij.

“I thashë Dodik të mos formonte një ushtri të vetën dhe ai pranoi!”. Me këtë fjali, presidenti serb Aleksandar Vucic ka tentuar të sqarojë se kush e ka fjalën e fundit në kampin serb. Edhe ai ka lidhje të ngushta me Kremlinin dhe takohet rregullisht me Putinin.

Ai e mbështeti dënimin e pushtimit rus të Ukrainës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, përpara se të vendoste të mos pranonte kërkesat e BE-së për t’iu bashkuar sanksioneve të saj. Vucic cilësohet si një mjeshtër në artin e shmangies së qartësisë. Lideri autokrat e sundon me vendin e tij me një dorë të fortë, dhe me një akt balancues të kalibruar me kujdes.

Serbia është një kandidate për anëtarësim në BE, por kjo nuk e ka penguar presidentin të flirtojë me Kremlinin, apo të lavdërojë miqësinë serbo-kineze, duke u shtirur në Uashington sikur është “spiranca” e vetme e stabilitetit në Ballkan. I sapozgjedhur për një mandat tjetër, presioni ndaj Vucic është rritur që nga fillimi i pushtimit rus.

Ati i kërkohet të ketë një qëndrim të qartë. Por Vucic vazhdon të luajë me 2 porta. Kohët e fundit Serbia u armatos me një sistem kinez të mbrojtjes ajrore. Po ashtu mijëra njerëz marshuan pak kohë më parë nëpër Beograd duke brohoritur:”Putin! Serbia dhe Rusia, përgjithmonë vëllezër!”.

Vucic-it i duhet Rusia për bllokimin e çdo lloj rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së

që synon një njohje formale të Kosovës. Ashtu si Rusia, që po i forcon ambiciet e saj perandorake me frazën mbresëlënëse “Russkiy Mir” – Bota ruse – termi “Srpski Svet” – Bota Serbe – mund të dëgjohet gjithnjë e më shumë në Serbi, një emërtim që përfshin me kujdes të gjitha zonat ku jetojnë serbët.

Vucic është i etur të ruajë pjesërisht retorikën e Serbisë së Madhe, të përdorur që në vitet 1990 nga Slobodan Milosevic. Sipas një sondazhi të kryer në muajin prill, shumica e serbëve janë shprehur për herë të parë ndër 2 dekada kundër anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Vucic ëndërron “një Serbi të madhe, të fuqishme”, të cilës t’i frikësohen të tjerët thotë politologu Vedran Dzihic, që jep mësim në Vjenë.

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al