Banorët e “5 Majit” ndalojnë Ramën para se të hyjë në Parlament

Edhe këtë të enjte, po ashtu si edhe dy javët e fundit, banorët e “5 Maji” në Tiranë kanë dalë në protestë para Parlamentit për prishjen e banesave të tyre.

Një grup i banorëve ka ndaluar kryeministrin Rama para se ai të hynte në parlament.

Ndërkohë, Rama, teksa ka pasur një bisedë të shkurtër me ata, u ka kërkuar që të zgjedhin një përfaqësi dhe të diskutojnë më pas me kryeministrin në ambientet e Kuvendit.

Banorëve po u prishen banesat në kuadër të rindërtimit dhe zhvillimit të zonës. Ata me dokumente të rregullta janë vendosur në banesa të tjera, ndërsa për ata që janë pa dokumentacion, Rama ka thënë se do të vendosen në banesa të tjera, por banorët pretendojnë se kanë mbetur në “rrugë të madhe”.