Bashkëpunoi me kampin nazist, Gjermania e hedh në gjyq 96 vjeçaren për vrasjen e hebrenjve

Një ish sekretare e administratës së kampit nazist të përqendrimit të Stutthof, do të shkojë në gjyq në Gjermani e akuzuar për bashkëpunim në vrasjen e më shumë se 11 mijë personave.

Gruaja aktualisht 96 vjeç, do të gjykohet nga një juri për minorenë, pasi në atë kohë ajo ishte 18 vjeç.

Procesi do të nisë në 30 shtator. E pandehura akuzohet se ka ndihmuar ata që drejtonin kampin, në vrasjen sistematike të të burgosurve në periudhën qershor 1943 dhe prill 1945, me anë të postit të saj si stenografe dhe daktilografiste në zyrën e komandantit të ish kampit të përqendrimit.

E pandehura e moshuar ishte sekretarja e Paul Verner Hope, i cili drejtonte kampin në Poloninë e pushtuar nga nazistët në atë kohë. Stuthof ishte kampi i parë i përqendrimit i hapur nga nazistët jashtë Gjermanisë dhe i fundit që u çlirua, nga forcat ruse, në maj të 1945-ës.

Sipas mediave gjermane, gruaja është marrë disa herë si dëshmitare në të kaluarën pasi korrespondenca me përgjegjësit ekonomikë të nazistëve kalonte nga tryeza e saj e punës.

Ajo ka pranuar se çdo ditë mbante shënim atë që i diktonte Hope, por gjithnjë ka këmbëngulur se i injoronte masakrat që ndodhnin pa metra larg zyrës së saj.

Procesi ndaj saj ka nisur në vitin 2016, dhe dëshmitarët që e akuzojnë jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izrael. Në korrik të 2020-ës, një gjykatë për të miturit në Hamburg shpalli fajtor për bashkëpunim në vrasje, një 93 vjeçar, i cili kur ishte i ri, ishte roje në këtë kamp. Ai u dënua me dy vite burg, por dënimi iu pezullua.

Drejtësia gjermane vendos qe ata që kanë qenë të punësuar nga nazistët në kampet e përqendrimit mund të akuzohen për bashkëpunim në vrasjen e të internuarve të pafajshëm. Kjo shpjegon dhe hapjen e proceseve të shumta të reja këto kohë.