Basketbollisti amerikan distancohet nga skuadra e tij serbe në lidhje me luftën

Basketbollistët e skuadrës serbe Cërvena Zvezda shkaktuan goxha skandal të dielën mbrëma, kur nuk pranuan të mbajnë para nisjes së ndeshjes flamurin me ngjyrat e Ukrainës e ku shkruhej “Stop luftës”.

Pamjet nga ndeshja e zhvilluar në Lituani mes Zhalgirisit vendas dhe ekipit nga Beogradi, në kuadër të Euroligës, bën xhiron e botës për shkak të hezitimit serb për të dënuar luftën.

Në mesin e pesëshes së parë të ekipit serb, që nuk deshi të mbajë flamurin e Ukrainës, ishte edhe një amerikan.

Aaron White pas ndeshjes është sqaruar nëpërmjet Twitterit, duke thënë se ishte vendim i klubit të mos mbahej flamuri.

“Si ekip na është thënë të mos prekim flamurin. Dua t’ua bëjë të gjithëve të ditur se nuk e përkrah luftën dhe se dua paqe në gjithë botë”, ka shkruar White.

Serbia është ndër vendet e vetme në Evropë që nuk i ka vënë sanksione Rusisë për pushtimin që ka nisur më 24 shkurt në Ukrainë.