Italia regjistroi 575 viktima në 24 orët e fundit nga pandemia koronavirus. Shifra është pak më e lartë krahasuar me një ditë më parë, ndërsa në total më shumë se 22700 persona kanë humbur jetën.
Mbrojtja Civile njoftoi se nuk kishte pasur kurrë më parë kaq pak raste të reja, vetëm 355 të tilla. Ndërsa që prej shpërthimit të pandemisë, më shumë se 170 mijë vetë janë infektuar.
Italia raportoi gjithashtu dhe më shumë se 2500 të shëruar në ditën e fundit, numri më i lartë i ditëve të fundit. Gjithashtu ka rënë sërish dhe numri i pacientëve që gjenden në terapi intensive.
Ndërkohë, Instituti i Shëndetësisë, në vendin fqinj, bëri me dije se gjatë fazës së dytë do të ketë një rëndësi të veçantë caktimi i zonave të kuqe pas heqjes së izolimit. Kreu i këtij Instituti, Silvio Brusaferro tha se testimi i vazhdueshëm i popullatës është një mënyrë efikase për të bashkëjetuar me pandeminë.
“Izolimi dhe masat kufizuese në Veneto nuk ekzistojnë më”. Pretendimi vjen nga vetë kryetari i këtij rajoni, Luca Zaia, i cili bën me dije se po punon për një plan me masa të tjera sigurie për të rinisur jetën normale. Megjithatë, ekspertët këshillojnë që vendi të mos rihapet edhe për dy javë të tjera, derisa të përfundojë dhe studimi sa i përket menaxhimit të situatës në fazën e dytë të pandemisë.