Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka shfytëzuar një aktivitet në vendin e tij për t’iu përgjigjur dy deklaratave për Serbinë që u bënë dje nga SHBA’të. Presidenti Biden në fjalimin e tij para liderëve të vendeve anëtare të NATO’s përmendi intervenimin në Ballkan për të ndalë spastrimin etnik pa përmendur specifikisht Beogradin. Ndërsa gjenerali amerikan Wesley Clark, që e kishte komanduar fushatën 78 ditëshe ajrore ndaj caqeve të Beogradit në vitin 1999, ishte më direkt kur alarmoi aleatët në NATO për Serbinë.
“Kur shpërtheu lufta në Ballkan, ne ndërhymë për ta rivendosur paqen dhe për ta ndalur spastrimin etnik”, tha Biden para Sekretarit të Përgjithshëm, liderëve të vendeve të NATO-s, ministrave të jashtëm dhe të mbrojtjes, përfaqësuesve nga vendet partnere e të Bashkimit Europian dhe anëtarëve të Kongresit në Samitin e NATO-s.
Vuçiq u shfaq nervoz që lideri i superfuqisë botërore përmendi këtë fakt.
“Nëse në atë kohë parandalonit spastrimin etnik, duke u shfrenuar mbi një komb të vogël, atëherë pse nuk e sulmuat menjëherë Rusinë kur hynë në Ukrainë? Ose mbase e keni harruar pak moralin, ndaj nuk vlejnë rregullat” tha Vuçiq.
“Ose kur Rusia pushton Ukrainën, është agresion, dhe kur sulmoni Serbinë, atëherë kjo është shpëtim. Por mirë, ne kemi nevojë për marrëdhënie të mira me të gjithë. Edhe me amerikanët edhe me rusët, veç që i kërkoj të mësojnë se ne e duam lirinë më shumë se çdo gjë dhe se nuk duam të jemi të përulur – thotë ai” shtoi ai.
Ish -komandanti i forcave aleate për Evropë Clark goditi ashpër regjimin në Beograd duke e thënë troç “se Serbia i shërben interesave të Rusisë dhe se kërkon mbështetjen e saj për ta zgjeruar territorin”
Amerikani tha se NATO duhet “ta dyfishojë vendosmërinë” dhe të përfshihet në çlirimin e Ukrainës, ashtu si bëri me Kosovën në vitin 1999.
“Putin e di se ne nuk duam provokim që çon në konfrontim bërthamor dhe vazhdon të na paralajmërojë me stërvitje bërthamore… Më kujtohet kur NATO ishte e shqetësuar se po e bombardonte një shtet, nëse duhet të ndalonim, të pauzonim, kishte frikë por gjithsesi ne këmbëngulëm, NATO këmbënguli sepse SHBA si lider këmbënguli dhe Britania po ashtu ishte pjesë e madhe ashtu si Albright dhe Clinton. Ne nuk u tërhoqëm” theksoi ai.
“Dora e Rusisë ndihet në Ballkan, Serbia është dora e Rusisë në Ballkan dhe i shërben interesave të Rusisë. Vuçiq është i mençur, dëshiron të duket sikur po luan në dy anët, por kur të vjen koha ai do të bëjë atë që do Putini që ai të bëjë. Ajo që ai do nga Putini është sigurisht autoriteti për të përdorur forcat e tij në Kosovë, dhe sigurisht duan ndarjen e Bosnjës dhe ta marrin Republikën Srpska dhe bërjen e ‘Serbisë së Madhe’”, theksoi ai.
Vuçiq u përgjigj edhe ndaj këtyre deklaratave. Ai tha se Serbia nuk është “piun” i askujt. As i SHBA’së e as i Rusisë.
“Mesazhi im për të është se ne s’jemi pengje të askujt. As të rusëve e as të amerikanëve. Dhe ne nuk do të jemi kurrë. Këtu jeton një popull liridashës, i cili e çmoi dhe vdiq për lirinë e tij. Liria është më e rëndësishmja dhe do të ishte mirë që këtë leksion ta mësonte edhe në vitin 1999. Disave u shkon një jetë e tërë dhe ata nuk i mësojnë mësimet. Serbia nuk i shërben asnjë fuqie të madhe, por vetëm popullit të saj”, theksoi ai.