Bilanc tragjik nga të shtënat në shkollën fillore në Teksas, 19 fëmijë të vdekur. Humbin jetën edhe 2 të rritur

Një bilanc tragjik është shënuar gjatë të shtënave me armë zjarri në një shkollë fillore në Teksasin jugor ku kanë mbetur të vdekur 19 fëmijë dhe 2 të rritur.

18-vjeçari i armatosur hapi zjarr në shkollën fillore Robb në qytetin e Uvalde para se të vritej nga forcat e rendit, thanë zyrtarët.

Hetuesit thonë se i dyshuari ishte i armatosur me një pistoletë, një pushkë gjysmë automatike AR-15 dhe karikatorë me kapacitet të lartë.

Numri i të vdekurve përfshinte gjithashtu dy të rritur, thanë autoritetet. Guvernatori Greg Abbott tha se njëri nga të dy ishte mësues.

Sulmi në shkollën fillore Robb në qytetin latin të Uvalde ishte sulmi më vdekjeprurës në një shkollë në SHBA që kur një person i armatosur vrau 20 fëmijë dhe gjashtë të rritur në Sandy Hook Elementary në Newtown, Connecticut, pothuajse një dekadë më parë.

“Zemra ime është thyer sot,” tha Hal Harrell, mbikëqyrësi i distriktit shkollor, duke njoftuar se të gjitha aktivitetet e shkollës u anuluan deri në njoftimin e dytë. “Ne jemi një komunitet i vogël dhe do të kemi nevojë për lutjet tuaja për ta kapërcyer këtë.”

Sulmi në Teksas ndodhi më pak se dy javë pasi një person i armatosur hapi zjarr në një supermarket në Buffalo të Nju Jorkut, duke vrarë 10 persona me ngjyrë. Zyrtarët e kanë cilësuar atë sulm një krim urrejtjeje.