Në El Salvador është ndërtuar një burg shumë i madh ku do të strehohen 40 mijë gangsterë, të cilët dyshohet se janë pjesë e bandave që kanë shkaktuar trazira në vend.
Në vetëm 10 muajt e fundit në El Salvador janë arrestuar 63 mijë persona. Ndërtesa e re do të ndihmojë që të mos ketë mbipopullim në burgje.
Autoritetet pretendojnë se është burgu më i madh në Amerikën Latine dhe është i pajisur me teknologjinë më të fundit për të parandaluar arratisjet.
Kritikët thonë se ndërtimi i një burgu të madh nuk është zgjidhja e problemeve të sigurisë në planin afatgjatë.
Qeveria ben me dije se burgu është krijuar për të izoluar krerët e bandave, duke përfshirë liderët e të ashtuquajturave klika ose grupe, si dhe anëtarët dhe bashkëpunëtorët e tyre.
Nuk është kryer ende asnjë transferim i të burgosurve në qendër. Burgu u ndërtua, larg zonave urbane dhe 74 kilometra (45 milje) nga kryeqyteti, San Salvador. Atje të burgosurit nuk do të kenë asnjë kontakt me botën e jashtme dhe do të lënë qelitë vetëm për seancat në gjykata, të cilat do të zhvillohen me videokonferencë nga një dhomë brenda burgut.
Perimetri do të sigurohet ditë e natë nga 600 ushtarë dhe 250 policë, ndërsa punonjësit e burgut të armatosur do të ruajnë brenda.