FOTO&VIDEO

Burgu i Sigurisë së Lartë nuk e sjell Enver Sekiraqën në gjykatë, dështon rigjykimi

Ka dështuar të vazhdojë rigjykimi ndaj Enver Sekiraqës, i akuzuar për nxitje të vrasjes së Triumf Rizës.

Shkak i dështimi të seancës së paraparë për të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka qenë mungesa e të akuzuarit Sekiraqa, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Kuçi ka thënë se me 7 qershor 2021 ka lëshuar urdhëresë për sjelljen e tij në këtë seancë, mirëpo sipas tij, nuk kishin marrë ndonjë konfirmim të pranimit të kësaj urdhëresë nga Burgu i Sigurisë së Lartë në Dyz.

Sipas gjykatësit, nuk janë në dijeni as për arsyet e mos pranimit të kësaj urdhërese.

Ndërsa në lidhje me seancën e radhës, e cila parashihet të mbahet me 25 qershor 2021, gjykatësi Kuçi tha se do të bëhen përpjekje që të sigurohet prezenca e të akuzuarit.

Prezent në sallë të gjykimit ishtin prokurori special Haki Gecaj, mbrojtësja e Sekiraqës, avokatja Kosovare Kelmendi, i dëmtuari Shefqet Riza, si dhe dëshmitarët Latif Merovci, Drita Hoxha dhe Fadil Gashi.

Seanca e fundit për këtë rast ishte mbajtur më 24 maj 2021, gjatë së cilës ka dhënë dëshminë e tij rreshteri i Policisë së Kosovës, Mehdi Kozhani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

Mirëpo, Gjykata e Apelit me 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe me 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2017, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.

Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthej në paraburgim, Enver Sekiraqen dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.

Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.

Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur me 6 shtator 2017, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.

E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat kishte thënë se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.

Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqes për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Sëiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti në “Sëiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa me 37 vjet.


FM IMAGES

FM IMAGES ALBANIA - Copyright © 2025 e-mail: info@fmimages.net. All Rights Reserved.

Recent Posts

  • FOTO&VIDEO

Osmani pretendon: Kurti s’e do presidenten që merret me politikë të jashtme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi senjë nga arsyet pse Kryeministri Albin Kurti ndryshoi qëndrim…

8 orë ago
  • KRYESORE

Osmani: I kisha votat për presidente, por Kurti nuk më kandidoi

Presidentja Vjosa Osmani, ka deklaruar se ishte e bindur se do të siguronte votat e…

10 orë ago
  • KRYESORE

Trump: Lufta mund të përfundojë shpejt, SHBA-të po shqyrtojnë kontrollin e Ngushticës së Hormuzit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi në një intervistë telefonike për CBS News…

10 orë ago
  • BOTA

‘Gjuetia’ që s’ka të ndalur! Si po i eliminon Izraeli një e nga një gjeneralët e Iranit dhe Hezbollahut

Abolghasem Babeian u vra të shtunën në Teheran. Pothuajse në të njëjtën kohë u vranë…

13 orë ago
  • KRYESORE

Kushtetuesja vendos masë të përkohshme në lidhje me dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit

Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani,…

14 orë ago
  • KRYESORE

“Po i hedhin benzinë zjarrit”, Erdogan paralajmëron Iranin

Presidenti i Recep Tayyip Erdogan ka reaguar për përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme,…

14 orë ago