Jusuf Buxhovi ka vlerësuar se partitë politike kanë vazhduar të ruajnë mendësinë që shteti duhet të jetë instrument për fuqinë e tyre materiale, e jo që shteti të jetë një kauzë, që të ndërtohet si demokraci.
Në emisionin Desku në KTV, Buxhovi ka thënë se e ka fjalën për pjesën më të madhe të partive politike, që sipas tij janë gati të njëjta. Ka thënë se e ka fjalën për partitë politike që janë në pushtet prej vitit 2000, ndërsa ka përmendur PDK-në, LDK-në dhe AAK-në.
Sipas Buxhovit, deputetët asnjëherë nuk janë të pavarur.
“Ka të bëjë edhe me ligjin zgjedhor, që ka krijuar despotë. Listat kur bëhen, ato kontrollohen, mbikëqyren, barten votat, bëhen manipulime më të mëdha se sa kur bëhen vjedhjet që janë konstatuar. Bëhen me shpërndarjen e votave të deputetëve, që kurrë nuk mund të jenë të pavarur sepse ata kontrollohen. Bosët kryesorë janë te këto tri parti politike, te PDK, LDK, AAK, është një trekëndësh”, ka thënë Buxhovi.