Çeku: Nuk e fituam “Palmën e artë” dhe “Kamerën e artë”, por jemi krenarë me shembullin e dhënë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ka thënë se është përjetim i jashtëzakonshëm që Kosova sonte ishte në festivalin prestigjioz të Kanës me filmin “Pa vend”.

“Ishte historike! Përjetim i jashtëzakonshëm, përfaqësim i dinjitetshëm. Kosova për herë të parë në Festivalin e Kanës, duke iu falënderuar filmbërësve të talentuar. Me filmin “Pa vend” të Samir Karahodës, për herë të parë ishim në kategorinë kryesore të filmave të shkurtë. Ndërsa filmi “Luaneshat e kodrës” i Luana Bajramit ishte pjesë e programit “Directors’ Fortnight””.

“Sonte përfundoi edicioni i 74-të i Festivalit të Kanës. Nuk e fituam as “Palmën e artë” as “Kamerën e artë”, por jemi krenarë dhe të lumtur me shembullin e dhënë. Artistët tanë të filmit po e mbajnë Kosovën në majën e konkurrencës botërore. Për t’i vazhduar sukseset botërore duhet vëmendje shtesë filmit. Përkushtimin tonë institucional dhe rritjen e përkrahjes ndaj filmit e konfirmoi edhe Kryeministri Kurti nga Kana”, ka thënë Çeku.