Çetnikët e Bosnjës, të papenguar në mediat sociale

“Toka serbe paguhet me koka” dhe “Liri a vdekje”. Mesazhe të këtij lloji janë të zakonshme në profile që në rrjetet sociale deklarohen si grupe çetnike të Bosnje dhe Hercegovinës.

Rreth tridhjetë grupe dhe profile në Facebook, Instagram dhe rrjete të tjera, të cilat u monitoruan nga Radio Evropa e Lirë për një muaj, madhërojnë, mes tjerash, entitetin Republika Sërpska të Bosnje dhe Hercegovinës dhe mbrojnë shkëputjen e saj.

“Nëse Drina është kufiri, do ta pimë”. Ky mesazh është publikuar nga grupi “Rinia çetnike Gacko”(Çetniçka omladina Gacko) në profilin e tij në Instagram më 9 janar, së bashku me vargje që shprehin besnikëri ndaj Republikës Sërpska.

Mesazhi që aludon në nevojën e “zhdukjes” së lumit Drina si kufi natyror mes Bosnje e Hercegovinës dhe Serbisë, është publikuar në Ditën e Republikës Sërpska. Ajo ditë shënohet më 9 janar, pavarësisht një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës, i cili e ka shpallur jokushtetuese.

Postimi në Instagram “Nëse Drina është kufiri, do ta pimë”.
Postimi në Instagram “Nëse Drina është kufiri, do ta pimë”.

Profili “Rinia çetnike Gacko” në Instagram ndiqet nga më shumë se 3.800 njerëz, ndërsa në Facebook nga rreth 2.100.

Në përshkrim të profilit janë sloganet: “Vetëm harmonia i shpëton serbët” dhe “Nuk i japim shenjtoret”.

Në profil nuk ka asnjë informacion në lidhje me administratorët. REL-i e kontaktoi atë për të diskutuar rreth përmbajtjes së publikuar, por nuk mori përgjigje.

Në Bosnje e Hercegovinë janë 16 shoqata të regjistruara që kanë trashëguar traditën e njësive famëkeqe çetnike nga Lufta e Dytë Botërore.

Në profilin "Çetnik Ravnogorski pokret Republika Srpska" janë publikuar foto ku shfaqen të rinj me uniforma të zeza me maska në kokë.
Në profilin “Çetnik Ravnogorski pokret Republika Srpska” janë publikuar foto ku shfaqen të rinj me uniforma të zeza me maska në kokë.

Udhëheqësi i lëvizjes çetnike Ravna Gora, Drazha Mihajlloviq, është dënuar në vitin 1946 me vdekje, për krime lufte dhe bashkëpunim me Gjermaninë naziste. Ai, më pas, është pushkatuar.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, çetnikët kanë vrarë rreth 58.600 njerëz në Bosnje e Hercegovinë, tregojnë të dhënat nga libri “Bosnje e Hercegovina në Luftën e Dytë Botërore 1941-1945”, i autorit Rasim Hurem.

Nën simbolet e çetnikëve, krimet e formacioneve paraushtarake dhe ushtarake janë përsëritur në luftën e viteve ‘90 të shekullit të kaluar, e cila ka pasuar shpërbërjen e Jugosllavisë.

Si është situata aktuale?

Sot, shoqatat zyrtare të Ravna Gorës janë të regjistruara në territorin e entitetit Republika Sërpska.

Idetë e tyre, shpeshherë me thirrje të hapura për dhunë, ndahen çdo ditë nga dhjetëra grupe, profile dhe faqe në rrjetet sociale.

Hikmet Karaçiq, autor i doracakut “Lëvizjet ekstreme të djathta dhe simbolika në Ballkanin Perëndimor”, thotë për Radion Evropa e Lirë se lëvizjet çetnike kanë pësuar një transformim në vitet e fundit dhe janë bërë dominuese në hapësirën online.

“Tani e kemi këtë gjuhë të re për promovimin e çetnikëve – përmes ilustrimeve grafike e të ngjashme… Ajo tani është përshtatur për të tërhequr brezin e TikTokut”, thotë Karaçiq.

Sipas tij, shumë prej tyre janë profile dhe grupe anonime, të cilat “përhapin ideologji çetnike në një mënyrë që është tërheqëse për një audiencë më të re”.

“Ata po përpiqen ta sjellin trashëgiminë nga Lufta e Dytë Botërore dhe nga lufta e viteve 1990 më afër të rinjve në mbarë botën. Ka aq shumë saqë është vështirë t’i gjurmosh”, thotë Karaçiq.

Numri më i madh i profileve është krijuar në Facebook dhe Instagram, por ka edhe në Twitter dhe TikTok.

Ato, përgjithësisht, përhapin të njëjtën përmbajtje, duke promovuar brigadat e luftës dhe duke madhëruar kriminelët e dënuar të luftës.

Një nga të dënuarit “më popullorë” për krimet e luftës në vitet 1990, për çetnikët në rrjetet sociale është Ratko Mlladiq, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Sërpska.
Gjykata e Hagës e ka dënuar Mlladiqin me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit në Bosnje dhe Hercegovinë.

Mbështetje për vojvodën Alleksiq

Grupet në rrjetet sociale, aktivitetet e të cilave i ka përcjellë REL-i, kanë publikuar, mes tjerash, edhe përmbajtje kushtuar vojvodës çetnike, Sllavko Alleksiq.

Në qershor të vitit 2022, Alleksiq, së bashku me dy anëtarë të tjerë të lëvizjes Ravna Gora në Bosnje e Hercegovinë, janë dënuar me pesë muaj burgim, për shkak të këngëve që kanë kënduar në një tubim në Vishegrad, në vitin 2019.

“Do të jetë sërish ferr dhe Drina do të përgjakët. Ja, çetnikët nga malet serbe”, kanë qenë vargjet e këngës.

Alleksiq dhe të dënuarit e tjerë i kanë paguar dënimet me burg në shkurt të këtij viti.

Organizata të shumta çetnike në Bosnje e Hercegovinë dhe në Serbi i kanë ndihmuar në mbledhjen e parave.

Thirrja për protestë për shkak të vendimit të Slavko Alleksiqit është publikuar në profilin e çetnikut Omladine Gacko.
Thirrja për protestë për shkak të vendimit të Slavko Alleksiqit është publikuar në profilin e çetnikut Omladine Gacko.

Alleksiq e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës në Sarajevë. Nga marsi i vitit 1992 është bërë komandant i “Njësisë çetnike Sarajeva e Re” me seli në vendbanimin e Sarajevës, Gërbavica.

Gjatë rrethimit pothuajse katërvjeçar të Sarajevës në vitet ‘90, kjo pjesë e qytetit ka qenë nën kontrollin e Ushtrisë së Republikës Sërpska.

Lagjja Gërbavica është pushtuar në vitin 1992, me ndihmën e Ushtrisë Popullore Jugosllave.

Emri i Alleksiqit është përmendur edhe gjatë gjykimit të radikalit serb, Vojisllav Sheshel, dhe ish-presidentit të Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, para Tribunalit të Hagës.

Në grupe dhe në profile në rrjetet sociale, Alleksiq cilësohet si “legjendë e gjallë e Sarajevës serbe”.

Alleksiq jeton sot në Hercegovinën lindore, në territorin e Republikës Sërpska. Ai nuk i është përgjigjur interesimit të REL-it për të biseduar për këtë çështje.

Fotot në faqen "Vojvoda Slavko Aleksić" në Facebook tregojnë vullnetarë rusë në fushën e betejës në Sarajevë më 1993, një rreshtim i Ravnogors dhe Vojvode Alleksiq me flamurin e Republikës së vetëshpallur Popullore të Donjeckut.
Fotot në faqen “Vojvoda Slavko Aleksić” në Facebook tregojnë vullnetarë rusë në fushën e betejës në Sarajevë më 1993, një rreshtim i Ravnogors dhe Vojvode Alleksiq me flamurin e Republikës së vetëshpallur Popullore të Donjeckut.

Faqja në Facebook e quajtur “Vojvoda Sllavko Alleksiq”, e krijuar në vitin 2015, ndiqet nga rreth 5.600 persona dhe nuk përmban të dhëna për administratorët.

Në një nga fotografitë e publikuara në qershor të vitit 2019, ai shfaqet me një grup burrash me uniformë. Në përshkrimin e fotografisë thuhet se ata kanë qenë vullnetarë rusë në fushëbetejën e Sarajevës në vitin 1993.

“Është bukur t’i kujtojmë vëllezërit tanë me armë”, është një nga komentet poshtë fotografisë.

Këngë për vojvodën, Kosovën, Putinin…

Një këngë e shkruar për nder të Alleksiqit nga poeti Millorad Sharoviq, i cili jeton në Beograd, është bërë virale në “muret” e grupeve çetnike në Facebook dhe Instagram.
Kënga përshkruan shkuarjen e Alleksiqit në varrezat hebraike në Sarajevë, në fillim të luftës në Bosnje e Hercegovinë, në vitet 1990.

Këto varreza kanë qenë një nga vendet nga ku janë terrorizuar banorët e Sarajevës, të cilët kanë qenë nën rrethim për 1.425 ditë.

Autori i këngës, i cili nuk i është përgjigjur kërkesës së REL-it për intervistë, është prezantuar në Facebook si “poet patriot”.

“Po e shkruaj të vërtetën historike për serbin, që të mos humbasë dhe harrohet”, ka shkruar ai në profilin e tij.

Sharoviq u ka “kënduar” edhe “vuajtjeve të serbëve në Kosovë”, por edhe “të bëmave” të presidentit rus, Vladimir Putin.

Një këngë kushtuar presidentit rus, Vladimir Putin, e cila është publikuar në profilin e “Knjizhevnik Miroslav Sharoviq" në Facebook.
Një këngë kushtuar presidentit rus, Vladimir Putin, e cila është publikuar në profilin e “Knjizhevnik Miroslav Sharoviq” në Facebook.

Edhe grupe dhe profile të tjera, aktivitetet e të cilave i ka përcjellë Radio Evropa e Lirë, janë të mbushura me përmbajtje që mbështesin Rusinë në kohën e luftës në Ukrainë.

Administratorët kryesisht të panjohur

Shumica e profileve dhe grupeve nuk kanë informacione për administratorët dhe nuk u përgjigjen mesazheve.

Nikolla Milliq, i listuar si një nga administratorët e grupit “Çetnikët e Republikës Sërpska” në Facebook, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ai udhëheq gjithsejtë “katër grupe çetnike në rrjetet sociale”.

“Qëllimi është mbrojtja e Serbisë”, është përgjigjur shkurtimisht për Radion Evropa e Lirë.

Postimi në Facebook me mesazhin "Lamtumirë Bosnjë dhe Alija, Serbia është e preferuara jonë".
Postimi në Facebook me mesazhin “Lamtumirë Bosnjë dhe Alija, Serbia është e preferuara jonë”.

Në publikimet e tij, ai shpesh bën thirrje për shkëputjen e entitetit të Republikës Sërpska nga Bosnje e Hercegovina.

I pyetur nga REL-i për qëllimin e publikimit të përmbajtjeve të tilla, ai është përgjigjur: “Për shkak të sulmeve ndaj serbëve”. Pasi është pyetur se prej kujt po i mbron, ai nuk është përgjigjur më.

Turçillo: Narrativat e urrejtjes kanë mbështetje politike

Lejla Turçillo, profesoreshë në Fakultetin e Shkencave Politike në Sarajevë, thotë për Radion Evropa e Lirë se narrativat që përhapin frikë dhe gjuhë urrejtjeje “jetojnë”, sepse kanë mbështetje politike dhe ideologjike.

“Ky lloj i gjuhës së urrejtjes është shumë i favorshëm për manipulimin politik të qytetarëve dhe, në këtë kuptim, mbështetet fuqishëm nga të gjitha strukturat nacionaliste në rajonin tonë”, thotë ajo.

Problemi, sipas saj, është se në Bosnje dhe Hercegovinë nuk ka asnjë reagim sistematik ndaj gjuhës së urrejtjes, veçanërisht në rrjetet sociale.

Anëtarët e lëvizjeve çetnike përmenden edhe në dokumente për situatën e sigurisë në këtë vend.

Në informacionet e Ministrisë së Sigurisë në Bosnje e Hercegovinë për vitin 2018 dhe 2019 thuhet se në këtë vend është i pranishëm ekstremizmi kombëtar, me ndikim negativ në mjedisin e sigurisë.

Në to thuhet se bartëse të këtij lloji të radikalizmit janë disa lëvizje nga Ravna Gora, të cilat me aktivitetet e tyre, mohojnë legjitimitetin e shtetit të Bosnje e Hercegovinës, ndërsa në daljet publike “nxisin jotolerancë” midis popujve” dhe “shprehin pikëpamje të theksuara radikale”.

Hikmet Karaçiq thotë se grupet dhe profilet që veprojnë në rrjetet sociale në Bosnje e Hercegovinë, duhet të shihen gjithashtu si kërcënim për sigurinë.

“Qëndrimi i autoriteteve tona të sigurisë duhet të ndryshojë. Është një çështje transnacionale dhe këto grupe duhet të jenë nën vëzhgim”, thotë Karaçiq.

Në nëntor të vitit 2022, Këshilli i Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës ka miratuar Strategjinë Kombëtare për Parandalimin dhe Luftimin e Terrorizmit, e cila do të jetë e vlefshme deri në vitin 2026.

Ajo, mes tjerash, përfshin ekstremizmin e krahut të djathtë, ekstremizmin e majtë dhe ekstremizmin e motivuar nga feja.

Rregulloret në Bosnje dhe Hercegovinë nuk përmbajnë dispozita që i referohen shprehimisht ndalimit të gjuhës së urrejtjes nëpërmjet internetit.

Përgatiti: Valona Tela