Nga Financial Times
“K***”, bërtiti ushtari ukrainas. Ai sapo kishte qëlluar në drejtim të disa dronëve që po fluturonin në lartësi të ulët dhe ngadalë në qendrën e Kievit të hënën në mëngjes.
Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al
Disa ushtarë të tjerë që ndodheshin aty pranë, filluan të qëllonin me armë për të rrëzuar dronët. Pak çaste më vonë, njëri prej u rrëzua në një rrugë dhe një tjetër shpërtheu në një ndertesë banimi pranë selisë së një kompanie energjetike.
“Gjatë gjithë natës dhe mëngjesit, forcat pushtuese terrorizuan popullatën civile. Rusia po sulmon me dronë kamikazë dhe raketa të gjithë Ukrainën,” tha Presidenti Volodymyr Zelenskyy.
Dronët e prodhuar nga vendet e tjera qenë një tipar i luftës në Ukrainë.
Së pari, Kievi përdori dronët TB2 Bayraktar të prodhimit turk me efekt shkatërrues kundër trupave ruse. Pas sulmit të 8 tetorit në urën e Kerçit që lidh Rusinë me gadishullin e Krimesë, zyrtarët ukrainas dhe të mbrojtjes perëndimore thanë se Moska po përdor gjithnjë e më shumë dronët kamikazë të Iranit, si Shahed-136, për të shkatërruar objektivat ukrainase.
Me Kievin, që po zgjohet çdo ditë nga sulmet e vazhdueshme me dronë, Ukraina ka përsëritur thirrjet për sisteme të mbrojtjes ajrore për të mbrojtur qytetet e saj dhe infrastrukturën kryesore, raporton abcnews.al.
“Këta dronë iranianë janë efektivisht raketa me rreze të gjatë veprimi dhe saktësi precize. “tha Jeremy Binnie, specialist i Lindjes së Mesme në Janes, një kompani e inteligjencës së mbrojtjes.
Irani, i cili ka arsenalin më të madh të raketave në Lindjen e Mesme, i ka ofruar Rusisë qindra dronë Shahed 136, tha këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan.
Javën e kaluar, Zelensky tha se Rusia kishte porositur 2,400 të tjera nga mjetet ajrore pa pilot. Irani nga ana tjetër ka mohuar akuzat se po furnizon me dronë Rusinë. Ndërsa Kremlini nuk ka dhënë asnjë informacion mbi përdorimin e dronëve por tha se po përdorte armë precize për të goditur objektivat e tij.
Lehtësia e përdorimit të dronëve iranianë dhe kostoja relativisht e ulët prej rreth 20,000 dollarë secila, në krahasim më shumë se 4 milion dollarë për një raketë Kalibr do të thotë se ato mund të përdoren në grupe, raporton abcnews.al.
Kjo e bën më të vështirë dhe më të shtrenjtë që sistemet e kufizuara të mbrojtjes ajrore të Ukrainës t’i ndalojnë ato. Krahas droneve me rreze më të gjatë Mohajer-6, ekuivalent me një TB2, ato mund të përdoren për sulme kundër vijës së armikut dhe për të frikësuar popullatën civile.
“Vetëm një dron duhet të kalojë përmes mbrojtjes ajrore për të goditur objektivin,” tha Binnie, i cili vlerëson se Irani ka prodhuar disa qindra dronë Shahed-136 dhe ende ka rezerva të shumta.
Ushtria e Ukrainës ka thënë se ka shkatërruar 37 dronë që nga mbrëmja e së dielës, rreth 85 për qind e dronëve të lëshuar.
Megjithatë, serioziteti i situatës reflektohet në mënyrën se si sulmet kanë shkatërruar një të tretën e infrastrukturës energjetike të vendit.
Teherani thuhet gjithashtu se është i gatshëm të furnizojë Moskën me raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi Fateh-100 dhe Zolfaghar, sipas Washington Post.
Zyrtarët perëndimorë besojnë se përdorimi i armëve iraniane nga Rusia tregon gjendjen e dobët të armatimeve të ushtrisë ruse.Javën e kaluar, Jeremy Fleming, kreu i agjencisë kibernetike të Mbretërisë së Bashkuar GCHQ, tha se forcat e presidentit rus Vladimir Putin ishin të dëshpëruara, raporton abcnews.al.
Në fushën e betejës, këto mungesa janë vënë re në përdorimin e shtuar të raketave tokë-ajër për të eleminuar objektivat në tokë. Koloneli rus Igor Ischuk tha për agjencinë ruse të lajmeve se shumica e prodhuesve të armëve në vend nuk mund të përmbushin kërkesat teknike të ushtrise për prodhimin e dronëve për shkak të mungesës së mjeteve të duhura.
Për të rimbushur rezervat e saj të raketave, Rusia iu drejtua Iranit, të cilin Putin e vizitoi në korrik. Kina ishte një mundësi tjetër, por Pekini “ndoshta ishte i shqetësuar se do t’i duhej të përballej me sanksione të ashpra dhe një përgjigje shumë të fortë të SHBA-së nëse do të ndihmonte Rusinë, tha Samuel Bendett, një këshilltar në CAN.
Irani, në të kundërt, “jo vetëm që ka qenë në gjendje të prodhojë linjën e tij të UAV-ve, por ata e kanë bërë këtë për dekada dhe ndërsa janë të sanksionuar nga SHBA-ja”, tha ai.
Irani mban një rekord të operacioneve ushtarake me dron dhe raketa. SHBA fajësoi Teheranin për sulmin e shtatorit 2019 që shkatërroi gjysmën e prodhimit të naftës së papërpunuar të Arabisë Saudite.
“Rusia qëndron pas Iranit në këtë fushë të veçantë, “të luftës me dron”, tha Mehdi Bakhtiari, një ekspert iranian i mbrojtjes.
Një analist politik me bazë në Teheran shtoi se sanksionet e detyruan Republikën Islamike të përqëndrohet në zhvillimin e armëve më pak të sofistikuara, siç janë dronët.
Irani dhe Rusia gjithashtu kanë bashkëpunuar prej kohësh ushtarakisht duke ndërhyrë të dy në luftën civile të Sirisë në 2015 për ta kthyer konfliktin në favor të Presidentit Bashar al-Assad, raporton abcnews.al.
Megjithatë, Irani nuk ka asnjë interes të drejtpërdrejtë në konfliktin e Ukrainës, tha Emile Hokayem, bashkëpunëtor i lartë për sigurinë e Lindjes së Mesme në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike në Londër.
As Teherani nuk ofroi mbështetje të qartë për aneksimin e katër provincave të Ukrainës nga Rusia më 23 shtator. Por analistët kanë deklaruar se përveç pagesave që Teherani do të merrte për furnizimin e armëve, bashkëpunimi më i thellë me Moskën tani mund t’i sigurojë Iranit akses në teknologjitë e mbrojtjes si avionët luftarakë rusë Su-35.
Fakti që armët do të testoheshin gjithashtu kundër sistemeve të mbrojtjes perëndimore në Ukrainë ishte gjithashtu një fitore propagandistike që mund të nxiste shitjet e armëve.
“Irani mund të shpresojë të marrë si avionë luftarakë ose ndoshta të ndërrojë dronët me grurë,” sipas një analisti me bazë në Teheran. “Sido që të jetë arsyeja, kjo është një mundësi për Iranin.”