Qeveria malazeze po përballet me mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme pas vendimit të kryeministrit me origjinë shqiptare Dritan Abazovic, për të nënshkruar një marrëveshje themelore me Kishën Ortodokse Serbe, dy ditë më parë.
Marrëveshja është kundërshtuar prej kohësh nga partia më e madhe në qeveri, Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) – e drejtuar nga presidenti malazez Milo Đukanović, i cili hoqi dorë nga mbështetja kundrejt Abazovic menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes, duke bërë thirrje për mbajtjen e një mocioni mos-besimi kundër tij.
Presidenti Đukanovic e akuzon Abazovic se e ka votuar këtë marrëveshje pa ofruar së pari mundësinë e një dialogu publik.
Ndërkohë, kryeministri Abazovic e mbrojti vendimin e tij duke thënë se nënshkrimi i marrëveshjes ishte “një hap i rëndësishëm drejt zgjidhjes së tensioneve në vend”, duke shtuar se nëse nuk gjendet zgjidhje, ai do të pranojë të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Çfarë është marrëveshja themelore e Abazovic me Kishën Serbe?
Mali i Zi ka nënshkruar disa ‘marrëveshje themelore’ më parë, me komunitetet më të vogla fetare si me Kishën Katolike në vitin 2011 dhe me Komunitetet Muslimane dhe Hebreje në vitin 2012.
Marrëveshja me Kishën Ortodokse Serbe u nënshkrua ditën e diel, me mbështetjen e 13 ministrave nga koalicioni i Dritan Abazovic ‘E Zeza mbi të Bardhë’, partisë socialiste pro-serbe si dhe partive shqiptare.
5 ministra nga partia DPS, Partia Boshnjake dhe Iniciativa Qytetare Kroate votuan kundër ndërsa 3 abstenuan.
DPS e ka akuzuar prej kohësh Kishën Serbe se po promovon nacionalizmin serb në Mal të Zi duke minuar sovranitetin e shtetit malazez.
Çfarë parashikon kjo marrëveshje?
Marrëveshja mes Abazovic dhe Kishës Ortodokse Serbe përmban disa pika të cilat pretendohet se adresojnë marrëdhëniet midis qeverisë malazeze dhe kishës serbe.
Fillimisht, marrëveshja përcakton obligimet e shtetit malazez ndaj institucioneve të Kishës Ortodokse Serbe:
- Ajo e detyron qeverinë malazeze të njohë imunitetin diplomatik apo të drejtat ekstraterritoriale të institucioneve të Kishës Ortodokse Serbe në vend – gjë që i përjashton ato nga juridiksioni / ligjet lokale;
- Qeveria është e detyruar të regjistrojë të gjithë kishat ortodokse në vend nën juridiksionin e Kishës Ortodokse Serbe dhe të nisë procesin e pagesës së dëmshpërblimit për të gjithë ndërtesat e konfiskuara nga regjimi komunist pas Luftës së Dytë Botërore;
- Marrëveshja përcakton që Kisha Serbe nuk ka nevojë të marrë leje nga qeveria malazeze për të lëvizur objekte të trashëgimisë kulturore të cilat janë të regjistruara nën pronësinë e saj;
- Gjithashtu, ajo i jep Kishës Ortodokse një status juridik i cili në disa zona, parashikohet të jetë i njëjti me atë të institucioneve qeveritare;
- Së fundmi, ajo parashikon mundësinë e shtrirjes së mësimeve fetare në shkolla publike dhe kontrollit dhe aprovimit të tyre vetëm nga Kisha Serbe.
Problemi kryesor me vendosjen e një sasie kaq të madhe pushteti në duart e një kishe të vetme – asaj Serbe – është fakti që komuniteti ortodoks në Mal të Zi nuk i takon vetëm drejtimit serb.
Në fakt, sipas censusit të vitit 2011, 72% e popullsisë malazeze identifikohen si të Krishterë Ortodoks – prej të cilëve, rreth 70% identifikohen si pjesëtarë të Kishës Ortodokse Serbe, që do të thotë se pjesa e mbetur – 30% identifikohen me rivalen e saj, Kishën Ortodokse Malazeze.
Më pas muslimanët përbëjnë një tjetër 20% të popullsisë dhe katolikët apo fetë e tjera, përqindjen e mbetur.
E ardhmja për Dritan Abazovic?
Mali i Zi tashmë mund t’i drejtohet zgjedhjeve të parakohshme, pas thirrjes së partisë më të madhe në qeveri (DPS) për një mocion mos-besimi kundër kryeministrit Abazovic.
Sipas një deklarate të dhënë për Euronews Albania nga Ministri i të Drejtave të Njeriut dhe Minoriteteve në Mal të Zi, Fatmir Gjeka, kjo “marrëveshje ishte thjesht një çështje procedurale, siç ka ndodhur edhe me bashkësitë e tjera fetare”.
“Unë e shoh si një çështje politike, këtë hap të shpejtë për të hequr përkrahjen ndaj qeverisë, ishte e përshpejtuar” – tha ai, duke shtuar se ditët në vazhdim, kabineti do të përcjellë zhvillimet, nëse do të shkohet drejt zgjedhjeve të parakohshme apo nëse do të gjendet një tjetër zgjidhje.
Ndërkohë, analistë të ndryshëm mendojnë se Abazovic mund t’i ketë mbetur një mundësi e fundit.
Sipas drejtuesit të think tank-ut CEMI, Zlatko Vujovic, pavarësisht thirrjeve të DPS, për një mocion mos-besimi kundër Abazovic, ka një mundësi që ai t’ia dalë paq. Dhe kjo, falë partive opozitare.
“Ka pritshmëri që tri blloqe mund të mbështesin kabinetin e Abazovic. Shpëtimi për këtë qeveri mund të vijë nga vetë Kisha Ortodokse Serbe e cila mund të influencojë Frontin Demokratik dhe bllokun “Paqja është Kombi Ynë’ për t’i ardhur në ndihmë Abazovic,” – i tha Vujovic gazetës malazeze Pobjeda.
Mbetet për t’u parë nëse Abazovic do të rrëzohet përfundimisht, apo nëse teza se partitë opozitare do t’i dalin atij në krah, do të mund të kthehet në mundësinë e tij të vetme për të vazhduar qeverisjen.