Kryetari i Parlamentit të Serbisë, Ivica Daçiq, njëherit edhe kryetar i partisë së Sllobodan Millosheviqit, SPS, përveç debateve të ashpra me deputetët kosovarë, Arben Gashi dhe Saranda Bogujevci, lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ka pasur një debat edhe me ambasadorin turk në këtë organizatë, i cili kishte bërë thirrje për pranim të Kosovës.
Daçiq, duke folur për mediat serbe lidhur me këtë temë, ka treguar se si e ka kritikuar ambasadorin turk në Këshill të Evropës, i cili gjatë fjalimit të tij kishte bërë thirrje për pranim të Kosovës në këtë organizatë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ai ka treguar se i ka thënë ambasadorit turk, se thirrja e tij për pranim të Kosovës në Këshill të Evropës ishte sulm ndaj integritetit të Serbisë.
“Kosova nuk është shtet i njohur ndërkombëtarisht, nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, pra si mund të jetë anëtare e Këshillit të Evropës. Unë thashë se nuk do të hynte kurrë në OKB. Veçanërisht reagova për fjalimin e ambasadorit turk, i cili u bëri thirrje të gjithëve që ta njohin Kosovën dhe të votojnë për pranim në Këshillin e Evropës. I thashë se nuk kishte turp të bënte thirrje për shkatërrimin e integritetit tonë territorial në praninë time, pra a e respektojnë miqësinë mes Erdoganit dhe Vuçiqit? Dhe si do të ishte nëse unë tani bëj thirrje për shkëputjen dhe njohjen e një pjese të territorit turk”, ka thënë Daçiq.