Dalin pamjet e kamerave të policisë: Në ankth dhe i frikësuar, fundi i trishtë i George Floyd

Pamje nga kamerat në trupat e dy policëve që akuzohen për vrasjen e afro-amerikanit George Floyd janë publikuar nga tabloidi britanik Daily Mail, të hënën.

Në pamjet e publikuara, duket një nga oficerët e policisë ndërsa i drejton Floyd-it të terrorizuar armën.

Ndërsa dy oficerët i kërkojnë që të dalë nga makina, Floyd u lutet: Zoti oficer, të lutem mos më qëllo. Të lutem plak”. Më pas ndodhi skena e radhës që përfundoi në mënyrë fatale më 25 maj.

Videoja tregon po ashtu se si dy oficerët i drejtohen me terma fyes të dyshuarit ndërsa injorojnë thirrjet e tij për mëshirë. 46-vjeçari rezistoi ndërsa policët mundoheshin që ta mbështesin në pjesën e pasme të makinës ndërsa u thoshte se vuan nga klaustrofobia dhe ankthi.

Pavarësisht kësaj, oficeri Derek Chauvin i vendosi këmbën në qafë për 9 minuta derisa George Floyd ndaloi së marri frymë.

Ai madje dëgjohet teksa parashikon vdekjen e tij. “Me shumë mundësi do të vdes kështu,” dëgjohet të thotë 46-vjeçari.

Pamjet përfshinë më shumë se 18 minuta filmim nga kamera e trupit të oficerit Alex Kueng dhe 10 minuta të filmuara nga kamera e oficerit Thomas Lane.

Ata ishin dy policët e parë që arritën në skenë pas një denoncimi se Floyd ishte përpjekur që të blinte një paketë cigare me kartëmonedhë false nga një dyqan në Parkun Powderhorn, Minneapolis.