Emisioni 112 transmeton pamjet ekskluzive nga ndërhyrja e shpejtë e policisë dhe Gardës së Republikës teksa një person ka tentuar të vetëdigjet para godinës së Kryeministrisë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Ngjarja ka ndodhur në orën 14:22 të kësaj të shtune teksa personi i cili mbante një shishe benzine në dorë po lëvizte me biçikletë duke u futur më pas në rrugën para hyrjes ballore të Kryeministrisë.
Ka qenë i menjëhershëm reagimi i 3 punonjësve të Gardës që i kanë hequr shishen me benzinë me të cilën djali po përpiqej të lyente veten. Personi shtrihet në tokë nga gardistët, gjithë momenti zgjat vetëm 1 minutë ndërsa ndërhyjnë menjëherë forcat Shqiponja dhe patrullat e rendit. Personi shoqërohet në Komisariatin nr. 1 ndërsa më pas është dërguar në Spitalin nr. 5 në kryeqytet për trajtim mjekësor.
Burime nga policia thonë për Report TV se personi është një 39-vjeçar me inicialet U.K., që punonte si taksist ndërsa së fundmi atij i ishte hequr patenta dhe në kushte të rënduara psikologjike dhe në gjendje të dehur tentoi të vetëdigjet.
Siç shihet edhe në pamje personi ka ardhur me biçiklete nga rruga në krah të Kryesisë së Kuvendit në orën 14:22 e 10 sekonda ndërsa në njërën dorë mban shishen e benzinës.
Në 14:22 e 22 sekonda djali me biçikletë ngjitet drejt hyrjes së Kryeministrisë.
Në orën 14:22 e 35 sekonda djali ndodhet para hyrjes ndërsa hap shishen e benzinës për ta hedhur mbi trup. Dy sekonda më pas janë 3 efektivë të Gardës së Republikës që ndërhyjnë për ta neutralizuar.
Në orën 14:22: e 55 sekonda personi rrethohet nga gardistët ndërsa atij i hiqet shishja e benzinës nga dora.
Ora 14:23: e 20 sekonda personi është neutralizuar nga Garda, aty afrohen patrullat e policisë