Angazhimi dhe puna e madhe e diasporës shqiptare për Kosovën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), ka qenë njëra nga elementet më të rëndësishme në rrugëtimin drejt lirisë dhe mëvetësisë së saj si shtet.
Kështu ka theksuar në një intervistë për Telegrafin, Naim Dedushaj, aktivist i mirënjohur i lobit shqiptaro – amerikan.
Dedushaj ka thënë se në fillim të viteve ’90-ta, Kosova nuk ka qenë e njohur në hartën politike botërore, por falë angazhimit të lobit shqiptaro – amerikan dhe vetëmohimit të pashoq të tyre ka ndryshuar gjendja plotësisht.
“Vitet e 90 ishin vite të arta për Kosovën në SHBA. Jam krenar që kam pasur mundësi të jap kontributin tim për çështjen e Kosovës. Lobi shqiptaro – amerikan, që nga Noli e Konica, është i organizuar në formën më të mirë. Qysh në vitin 1912 Federata Panshqiptare Vatra, mblodhi fonde për qeverinë e atëhershme shqiptare, derisa më vonë kishim një kryeministër nga mërgata amerikane si Fan Stilian Noli”, ka shtuar ai.
Sipas tij, lobimi shqiptar në SHBA ka qenë shumë intensiv deri në Pavarësinë e Kosovës, njëkohësisht, njëkohësisht ka qenë aktiv edhe në angazhimin për demokratizimin e Shqipërisë.
“Ishin të mobilizuar të gjithë, punonim – çdo minutë, çdo ditë, në çdo kohë – ishim aktiv në Ëashington D.C dhe në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). Të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur në Kosovë në baza ditore, ne i prezantonin nëpër këto qendra të vendosjes dhe e njoftimin publikun amerikan me dhunën dhe krimet serbe në Kosovë, deri në intervenimin e NATO-s, që ishte arritje tepër e madhe”, ka theksuar Dedushaj, për Telegrafin.
Ai ka thënë se në vitin 1999 kur Serbia po bombardohej nga NATO, bota e kuptoi se ku është Kosova dhe çfarë po ndodh atje.
“Për 10 vite lobim, ne arritëm që Kosovën nga një vend që nuk e dinin se ekziston, ta kthejnë në një temë të njohur për të gjithë kongresmenët dhe senatorët amerikanë, nga të dyja taboret, si republikanët, ashtu edhe demokratët. Shtrohet pyetje kjo kthesë si erdhi. Angazhimi i madh i lobit shqiptaro – amerikan me aktivitetin e ngjeshur ishte shkaktari kryesor që Kosova të jetë fokus i politikës së jashtme amerikane. Dy herë në muaj bënim protesta para OKB-së dhe në Washington. Madje, çdo muaj botoheshin shkrime në gazetën më të madhe amerikanë, New York Times, botim i cili kishte kosto mbi 100 mijë dollarë”, ka thënë Dedushaj.
Naim Dedushaj, aktivist i mirënjohur i lobit shqiptaro – amerikan.
Aktivisti i lobit shqiptaro – amerikan ka thënë se lobimi për çështjen shqiptare është zbehur në SHBA, e krejt kjo sipas tij, ka ardhur për shkak të zhgënjimit me politikën dhe politikanët shqiptarë, transmeton Telegrafi.
“Lobimi është zbehur këto vite për arsye se politika e shteteve shqiptare nuk ka qenë afër me komunitetin shqiptar atje, njerëzit e së cilit komunitet kanë harxhuar prej pasurisë së tyre dhe pa asnjë kompensim, që të qohet përpara çështja shqiptare”, tha ai.
Dedushaj ka theksuar se shpreson që qeveria në ardhje do ta ketë parasysh këtë fakt dhe fuqinë e lobit shqiptaro – amerikan, duke bashkëpunuar ngushtë me të, sepse sipas tij, përmes këtij komuniteti qeveria amerikane do t’i kthej sytë përsëri nga Kosova dhe ta fuqizojë pozitën e saj në politikën ndërkombëtare.
“Nëse jemi të organizuar dhe i bashkërendojmë punët, nuk do të mungojnë as mbështetja amerikane dhe as fondet për Kosovën, sepse dikur falë angazhimit të madh të lobit shqiptaro – amerikan, superfuqia botërore e mbështeti Kosovën, në rrugën e saj për liri dhe pavarësi. Ne kishin edhe një batalion si Atlantiku, i cili erdhi i organizuar nga ky shtet”, ka thënë ai.
Sipas tij, në mesin e atyre që kanë kontribuar nga shqiptaro – amerikanët, janë shumë yje që kanë shkëlqyer në ditët e rënda që po i kalonte Kosova, duke shpenzuar miliona dollarë.
“Lista e atyre që kanë kontribuar është e gjatë, por ndoshta vlen të përmenden njerëz si Xhim Xhema, një aktivist i madh me prejardhje nga Medvegja, Ilmi Berisha, Vëllezërit Bytyqi, Nazar Mehmeti, një ndër shqiptarët më aktiv për Kosovën dhe çështjen shqiptare, kontribues për lobim për Kosovën, e në veçanti ishte kontribuesi më i madh nga mërgata shqiptaro – amerikane për UÇK-në, Ismet Smajli, Sabit Bytyçi, komuniteti shqiptar në New York, në Dallas, në Çikago, në Detroit, shqiptarët nga viset shqiptare të Malit të zi dhe Maqedonisë ishin ndër më aktivët”, ka theksuar Dedushaj.
Ndryshe, Dedushaj është njëri nga themeluesit e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, i cili ka arritur t’i bashkojë shqiptarët nga 25 vende të mërgatës ku jetojnë ata, në katër kontinente të globit.