Hajnat në Kosovë përveç shtëpive e bizneseve të ndryshme që i kanë cak për t’i bërë qyl, siç duket janë në gjendje edhe të shfrytëzojnë fatkeqësinë e dikujt, që të ‘kapin’ sado pak para e gjësende me vlerë.
Një rast i tillë ka ndodhur të mërkurën në magjistralen Prishtinë-Pejë, kur dy persona u përballën me një hajn, raporton Gazeta Sinjali.
Defekti në veturën e tyre i detyroi të ndalen, por fatkeqësisht teksa tentonin ta rregullonin problemin, dikush ua vuri syrin dhe arriti t’ua vjedhë një çantë.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se shoferi dhe pasagjerja e kanë denoncuar rastin në Polici, ku kanë rrëfyer në detaje, se si një person doli nga një veturë dhe e mori çantën në të cilën kishin mijëra euro dhe të gjitha dokumentet e tjera.
Posa arriti ta kryejë vjedhjen, të dyshuarin e ndihmoi miku i tij që e mori me veturë dhe u larguan në një drejtim të panjohur.
Si rezultat i denoncimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti dhe kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e personit të dyshuar.