POLITIKE

Deklaratat e ambasadorit amerikan për “tokën biblike të Izraelit”, shtetet arabe reagojnë njëzëri

Deklaratat e ambasadorit amerikan në Izrael, Mike Huckabee, se Izraeli ka një të drejtë biblike mbi një territor të gjerë në Lindjen e Mesme kanë shkaktuar reagime të ashpra nga vendet arabe dhe islamike.

Huckabee, ish-pastor baptist dhe mbështetës i zjarrtë i Izraelit, i bëri komentet gjatë një interviste në podcast-in e Tucker Carlson. Në episodin e publikuar të premten, Carlson e pyeti ambasadorin për interpretimin e një vargu biblik që shpesh shihet si referencë për të drejtën e Izraelit mbi territorin mes lumit Nil në Egjipt dhe lumit Eufrat në Siri dhe Irak, shkruan The Guardian.

Në përgjigje, Huckabee deklaroi: “Do të ishte në rregull nëse do ta merrnin të gjithën”. I shtyrë për sqarime, ai shtoi se Izraeli “nuk po kërkon ta marrë të gjithë atë territor” dhe se deklarata e tij ishte “disi hiperbolike”.

Reagimet u zgjeruan ndjeshëm të dielën, kur një sërë qeverish arabe dhe islamike, së bashku me tre organizata të mëdha rajonale, publikuan një deklaratë të përbashkët ku i cilësuan komentet si “të rrezikshme dhe nxitëse”.

Deklarata, e bërë publike nga Ministria e Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe, u nënshkrua nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti, Jordania, Indonezia, Pakistani, Turqia, Arabia Saudite, Katari, Kuvajti, Omani, Bahreini, Libani, Siria dhe Shteti i Palestinës, si dhe nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik, Liga Arabe dhe Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit.

Sipas tyre, deklaratat bien ndesh me Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe përpjekjet për uljen e tensioneve në luftën e Gazës, si dhe për avancimin e një zgjidhjeje politike gjithëpërfshirëse.

Më herët, disa shtete arabe kishin reaguar veçmas. Arabia Saudite i quajti fjalët e ambasadorit “të pamatura” dhe “të papërgjegjshme”, ndërsa Jordania i cilësoi si “sulm ndaj sovranitetit të vendeve të rajonit”. Kuvajti foli për “shkelje flagrante të parimeve të së drejtës ndërkombëtare”, ndërsa Omani paralajmëroi se deklaratat “rrezikojnë perspektivën për paqe dhe stabilitet në rajon”.

Ministria e Jashtme e Egjiptit theksoi se “Izraeli nuk ka sovranitet mbi territoret e pushtuara palestineze apo mbi ndonjë tokë tjetër arabe”. Ndërkohë, Autoriteti Palestinez deklaroi në rrjetin social X se fjalët e Huckabee bien në kundërshtim me qëndrimin e presidentit amerikan Donald Trump kundër aneksimit të Bregut Perëndimor nga Izraeli.

Të shtunën, Huckabee publikoi dy reagime në X për të sqaruar qëndrimet e tij mbi çështje të tjera të trajtuara në intervistë, por nuk iu rikthye deklaratës për vargun biblik.

Nga ana tjetër, kryetari i parlamentit izraelit, Amir Ohana, e lavdëroi Huckabee në X për qëndrimin e tij pro-Izrael dhe akuzoi Tucker Carlson për “manipulime dhe pasaktësi”.

Deklaratat e ambasadorit amerikan pritet të shtojnë tensionet diplomatike në një moment kur rajoni përballet me përpjekje të brishta për armëpushim dhe zgjidhje politike në konfliktin e Gazës.


FM IMAGES

FM IMAGES ALBANIA - Copyright © 2025 e-mail: info@fmimages.net. All Rights Reserved.

Recent Posts

  • POLITIKE

Haxhiu s’vazhdon me votim për zgjedhjen e Presidentit: S’ka kuorum, s’janë 80 deputetë, po e ndërpres

Nuk ka pasur kuorum për raundin e parë të votimit të Presidentit. 66 deputetë ishin…

3 orë ago
  • KRYESORE

S’ka kuorum për t’i votuar amendamentet, seanca për zgjedhjen e Presidentit nga ora 22:00

Nuk ka pasur kuorum për propozimet e amendamenteve kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani…

4 orë ago
  • BOTA

Mediat iraniane pretendojnë se Garda Revolucionare e Iranit ka goditur me dronë aeroplanmbajtësen Abraham Lincoln

Televizioni shtetëror iranian raportoi mbrëmjen e së enjtes se dronët e Gardës Revolucionare ushtria ideologjike…

4 orë ago
  • POLITIKE

Kuvendi del me njoftim për seancën e thirrur për amendamentet e Presidentes

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë ftuar në seancën lidhur me amendamentet për zgjedhjen e…

5 orë ago
  • KRYESORE

Trump i thotë Teheranit: Unë personalisht do ta zgjedh ajatollahun tuaj të ri!

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se dëshiron të përfshihet në zgjedhjen…

5 orë ago
  • KRYESORE

Osmani kërkon ndryshime kushtetuese: Presidenti të zgjidhet direkt nga populli

Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se të enjten i ka dërguar në Kuvend amendamentet kushtetuese…

9 orë ago