Deputeti i Bundestagut, Josip Juratoviq, thotë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka të drejtë kur thotë se janë të mundshme pasojat për Serbinë nëse nuk pranohet propozimi për marrëveshjen Kosovë-Serbi, por, siç thekson ai, “nuk bëhet fjalë për të pranuar planin (franko-gjerman) por për arritjen e një marrëveshjeje – së cilës do t’i përmbahen të dyja palët”.
“Nëse njëra apo të dyja palët bllokojnë kompromisin, atëherë ekziston rreziku që të ndodhë pikërisht ajo për të cilën po flet Vuçiq”, thotë deputeti i Bundestagut.
“Erdhi ‘pesëshja perëndimore’, në fjalinë e dytë që më komunikuan thuhej – duhet ta pranosh këtë plan (franko-gjerman) dhe nëse nuk e pranon, do të përballesh me pasojat”, tha hënën presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke iu drejtuar kombit.
“Do të përballeni, nën një, me ndërprerje të procesit të integrimit evropian. Nën dy, do të përballeni me ndalimin dhe tërheqjen e investimeve. Nën tre, masa të gjithanshme në kuptimin politik dhe ekonomik që do ta dëmtojnë Serbinë. Kjo më është përsëritur edhe tri herë gjatë bisedës dhe sa herë kam reaguar ashpër”, tha atëherë Vuçiq.
Juratoviq, për “N1” thotë se nuk i di detajet e planit (franko-gjerman), por thekson se Serbia dhe Kosova duhet të gjejnë zgjidhje përmes dialogut dhe kompromisit.
Deputeti i Bundestagut kujton shembullin e dy Gjermanive, që ekziston, siç thotë ai, si temë diskutimi dhe shton se është i mendimit se kjo është një mundësi që nuk është aq e keqe as për Kosovën, as për Serbinë, duke qenë se është e vështirë për Serbinë të njohë Kosovën. “Por kjo nuk është prioritet tani, edhe dy Gjermanitë nuk e njihnin njëra-tjetrën, por ishin në institucionet ndërkombëtare dhe përmes konventave ndërkombëtare ishin të dobishme në kontekstin ndërkombëtar”, shton deputeti.
“Stabiliteti dhe paqja janë të rëndësishme për ne dhe që të dyja mund të zhvillohen dhe të mos bllokohen”, nënvizoi ai.
Në pyetjen nëse Vuçiq ka të drejtë kur thotë se ne jemi të kërcënuar me pasoja nëse nuk pranohet plani, Juratovic shprehet se “Vuçiq ka të drejtë për këtë, por nuk bëhet fjalë për faktin se plani duhet pranuar, por se do të arrihet një marrëveshje – të cilës do t’i përmbahen të dyja palët”.
Ai shprehet se dialogu po zgjatë me vite, bëhet kompromisi dhe se “pastaj secili vjen në vendin e vet dhe çdo gjë interpretohet sipas mënyrës së vet”, pastaj i referohen kushtetutës së tyre dhe – “përsëri gjithçka nga fillimi”.
“Nëse njëra apo të dyja palët bllokojnë kompromisin, atëherë ekziston rreziku që të ndodhë pikërisht ajo për të cilën po flet Vuçiq”, shton ai.
Ai përsërit se synimi i Gjermanisë dhe, siç thotë ai, i gjithë BE-së, është një Ballkan Perëndimor stabil dhe se të gjithë aktorët që janë në procesin e anëtarësimit në BE, solidarizohen me të dhe të përcaktohen qartë se në cilin drejtim janë duke shkuar.
“Nëse vërtet ndodh që procesi i hyrjes në BE të vendoset në ‘akull’, do të ketë pasoja në ndihmën që më së shumti ka ardhur nga BE-ja, prandaj nuk do të ketë ndihmë financiare, kurse investitorët që nuk kanë shpresë të mbrohen përmes rregullave të lojës që mbretërojnë në BE, do të mendojë gjatë nëse do të investojë në Serbi”, thotë deputeti i Bundestagut.
Ai shton se me ndalimin e atij procesi, Serbia në fakt do të shkojë prapa, ekonomikisht edhe si shoqëri.
Juratovic ka deklaruar më herët se reputacioni i Serbisë, si shtet, është katastrofik dhe se askush nuk po llogarit në të.
I pyetur për deklaratën e reputacionit, ai thotë se e shikon para së gjithash nga aspekti politik, “dhe se politika aktuale, kushdo që e udhëheq, është gjithmonë përgjegjëse për këtë”.
“Serbia nuk e meriton këtë, sepse unë njoh shumë njerëz të mirë, të aftë, intelektualë që nuk mund të vijnë në shprehje. Por vetë karakteristika e shtetit – jo vetëm sistemi juridik por edhe liria e medias – duhet të mendohen më thellë, ka kritika… Për reputacionin e shtetit, para së gjithash, politika është përgjegjëse, sepse peshku qelbet nga koka”, shton ai.
Duke iu rikthyer planit gjermano-francez, ai thotë se Perëndimi është ndërmjetës, se ofron mundësinë se si të arrihet një zgjidhje, cilat pika duhet të zgjidhen për të ecur përpara dhe se në fund duhet të arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.
“Mendoj se zgjidhja është që të dy të angazhohen më shumë ndërkombëtarisht dhe të tregojnë më shumë bashkëpunim në nivel ndërkombëtar”, thotë ai.
Juratoviq është i bindur se njerëzit në Kosovë dhe Serbi nuk janë të interesuar për atë se çfarë do të bien dakord Kurti dhe Vuçiq, por për jetën reale – nëse ata mund të jetojnë sepse, siç thotë ai, të dyja palët kanë problemin që gjeneratat e reja duan të largohen nga vendi.
Por ai thotë se edhe shoqëria [serbe] duhet të mendohet, sepse siç thotë ai, vëren se askush nga politika nuk e kundërshton faktin që shoqëria mbron regjimin e Putinit dhe askush nuk thotë se agjenda është e qartë – BE-ja dhe vlerat demokratike. Serbia duhet të shkëputet nga rryma e Millosheviqit dhe të marrë rrugën e Gjingjiqit dhe për këtë ka mjaft njerëz”, thotë ai.
Juratoviq është i bindur se “njerëzve në Kosovë dhe Serbi nuk iu intereson për atë se çfarë do të bien dakord Kurti dhe Vuçiq, por për jetën reale – nëse ata mund të jetojnë sepse, të dyja palët kanë problemin që gjeneratat e reja duan të largohen nga vendi”.