Deputetja boshnjake drejtuar Ramës: Duhet të shpjegoni se pse nuk e miratuat rezolutën për masakrën e Srebrenicës

Një letër e hapur e shkruar nga deputetja boshnjake, Sabina Cudiç, i është drejtuar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Nga aty ajo ka kritikuar refuzimin e Qeverisë shqiptare për të votuar një rezolutë, që dënon gjenocidin e Srebrenicës.

“Dëshiroj t’ju kujtoj se Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë ka vërtetuar se forcat serbe kryen gjenocid në Srebrenicë në korrik 1995, kur u vranë më shumë se 8 mijë boshnjakë dhe më shumë se 40 mijë njerëz u dëbuan nga shtëpitë e tyre”, shkruan ajo.

Sipas saj, Qeveria shqiptare duhet t’i shpjegojë të gjithë evropianëve dhe veçanërisht publikut shqiptar dhe atij të Bosnjë dhe Hercegovinës se pse nuk u përfshi Rezoluta për Dënimin e Gjenocidit në agjendën e Kuvendit.

 

Reagimi i deputetes boshnjake erdhi pasi mazhoranca refuzoi të votojë rezolutën pasi ajo ishte propozuar nga deputeti Sali Berisha.

Por për Cudiç “askush nuk e pengoi Partinë Socialiste të propozonte rezolutën, apo ta miratonte atë, pasi ju keni shumicën në Parlament”.

Në përfundim të letrës së saj, ajo shkruan se dënimet institucionale të gjenocidit të Srebrenicës janë pjesë e përpjekjeve më të mëdha për të mbrojtur vlerat demokratike, veçanërisht duke pasur parasysh kërcënimet e paraqitura nga Rusia ndaj këtyre vlerave.

“Në kontekstin e agresionit të tyre ndaj Ukrainës dhe mundësinë e një gjenocidi të ri në Evropë, kjo nuk është më drejtësi një dallim vlerash, por edhe një ndarje në blloqe dhe llogore. Çështja e gjenocidit në Srebrenicë është ajo që vendos vendin e Shqipërisë në ndarje, më shumë se çdo gjë tjetër”.

.