Ai është njeriu i fortë në Kosovë: Hashim Thaçi. Tani presidenti është i akuzuar nga Haga për KL. Pse tani? Dhe çfarë do të thotë kjo kthesë dramatike për ndërmjetësin e Trump, Richard Grenell?
Bomba shpërtheu sekondën e fundit, valët e tronditjes shokuan Ballkanin: Gjykata speciale në Hagë akuzon Hashim Thaçin, presidentin e Kosovës.
Thaçi u detyrua të ndryshonte planet e udhëtimit. Këtë të shtunë ai dëshironte të negocionte me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Kopshtin e Trëndafilave në Shtëpinë e Bardhë në Uashington një marrëveshje për të dalë nga ngërçi diplomatik: Ish-krahina serbe e Kosovës, që shpalli pavarësinë e saj në mënyrë të njëanshme në vitin 2008, nuk njihet nga Serbia, por edhe pesë vende të BE dhe anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB, Rusia dhe Kina refuzojnë të japin bekimin diplomatik për republikën e vogël ish-jugosllave.
Fakti që urdhri i arrestit kundër Thaçit po publikohet tani, ka efektin e një gjykate ndërkombëtare që tërheq frenat e emergjencës në sekondën e fundit. Samiti serbo-kosovar në Uashington, i planifikuar për të shtunën, anashkaloi diplomacinë e BE nga Richard Grenell, i dërguari special i Donald Trump për Ballkanin.
Duhej të ishte një goditje PR-i në kohë fushate për presidentin amerikan, që është nën presion- megjithatë mbeti e paqartë deri në fund se për çfarë kishin rënë dakord palët. Njohja diplomatike e Kosovës nga Serbia në këmbim të një shkëmbimi territoresh? Pra, një zgjidhje që BE, posaçërisht kancelarja gjermane, e hedh poshtë si hapin e parë fatal drejt një zhvendosje kufijsh brenda-evropiane? Nuk ka gjasa.
BE, si peshë e rëndë potenciale politike, ka dështuar në çështjen e Kosovës
E vërteta është se BE, si një peshë e mundshme e rëndë politike, ka dështuar në çështjen e Kosovës, në oborrin e saj të pasëm dhe ka rënë në hijen e Uashingtonit që nga fillimi. Si ndërhyrja e NATO-s në luftën e Kosovës në vitin 1999, ashtu edhe përpjekja për njohje diplomatike në vitin 2008, erdhën pas presionit masiv nga Shtetet e Bashkuara. Do mbetet ikonik momenti kur Hashim Thaçi, asokohe kryeministër, deklaroi përpara gazetarëve të mbledhur në Hotel Grand në Prishtinë se nuk kishte asgjë për të thënë. Plani i tij për të shpallur pavarësinë ishte rrëzuar më parë nga e dërguara amerikane, Tina Kaidanov me fjalët: Në asnjë mënyrë. Plani kohor i Uashingtonit ishte ndryshe.
Thaçi është promovuar vazhdimisht nga ish-Sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright dhe është vlerësuar nga kandidati aktual presidencial, Joe Biden si ‘George Washington i Kosovës’. Veterani i luftës e ka plotësuar në mënyrë perfekte rolin e tij si qen prehri i gjeopolitikës amerikane. “Ne jemi shumë mirënjohës që Uashingtoni kërkon në këto kohë dramatike gjeopolitike një zgjidhje për Kosovën dhe Serbi,” i tha Thaçi gazetës Frankfurter Allgemeine pak para udhëtimit të planifikuar për në SHBA. “Është një bekim për Kosovën, që ka Uashingtonin nga pas”.
Ajo që bëri Thaçi para se të bëhej njeriu më i fuqishëm në politikën e brendshme të Kosovës, ishte gjithnjë e dokumentuar mirë. Sipas një raporti të Shërbimit Federal të Inteligjencës Gjermane në vitin 2005, njeriu që në UÇK e quanin ‘Gjarpri’, kontrollonte ‘një rrjet aktiv krminal në të gjithë Kosovën’.
Përse kjo gjë nuk pengoi askënd që të ulej në tryezë me Thaçin sapo në pikëpyetje ishte e ardhmja e këtij rajoni kyç të krizës evropiane? Ata që janë në Uashington dhe Bruksel duhet t’ia bëjnë vetes këtë pyetje. Gjykata speciale e financiuar kryesisht nga BE në Hagë ka si detyrë të sqarojë aspektet krminale në të shkuarën e kreut të shtetit kosovar. Një vendim i formës së prerë nga gjyqtari është në pritje.
Të paktën një gjë duket e sigurt: për marrëveshje të matura për çështjen e Kosovës, BE, por mbi të gjitha amerikanët, kanë humbur një nga dy intelokutorët.