Në pyll përgjatë një ane të rrugës pranë Borodianksa në Ukrainë, policia po mbikëqyrte zhvarrosjen e dy burrave që u ekzekutuan dhe u varrosën pranë asaj që vendasit thonë se ishte një postbllok ushtarak rus, shkroi The Guardian të shtunën.
Krahas policëve ishin katër burra me veshje civile dhe me doreza kopshtarie – ukrainas të zakonshëm pa përvojë të mëparshme të kësaj pune dërrmuese, të cilët janë bërë vullnetarë duke mbledhur qindra trupa ende duke u gërmuar në qytetet në kufi me kryeqytetin.
Ka kaluar një muaj që kur ushtria ukrainase dëboi forcat ruse nga rajoni i Kievit, por policia lokale dhe vullnetarët ende po gjejnë varre të reja. Më shumë se 1,000 trupa janë gjetur atje sipas prokurorëve ukrainas, të cilët thanë se shumë njerëz u vranë nga bombat, duke e bërë të vështirë gjetjen e eshtrave të tyre.
Forcat policore të qyteteve të vogla dhe fshatrave janë zhytur në hetimin e një prej mizorive më të mëdha në Evropë në kohët e fundit. Policët po mbështeten tek qytetarët ukrainas për të bërë punën e rëndë, ndërkohë që ata marrin deklarata dhe dokumentojnë vdekjet.
Mbledhësit vullnetarë të trupave kanë për detyrë të marrin trupat e kalbur dhe shpesh të gjymtuar nga varret, t’i vendosin në qese, t’i numërojnë dhe më pas, në fund të ditës, të dërgojnë trupat e mbledhur në cilindo morg në rajonin e Kievit.
“Nuk e dija se kjo do të ishte ajo që do të bëja”, tha Vasily Pasieka, shofer i një kompanie ndërtimi në rajonin Chernivtsi, i cili po ngiste kamionçinën që bartte trupat. “Por, dikush duhet ta bëjë këtë për familjarët, për policinë”.
“Unë jam thjesht një shofer. Kam qenë në rrugë për 40 vjet”, shtoi ai.
Punëdhënësi i tyre donte të bënte diçka për të ndihmuar kur ata panë lajmet e tmerrshme për mizoritë masive në rajonin e Kievit. Ata thirrën një nga qendrat e improvizuara të ndihmës humanitare, të cilët thanë se u duhej një kamionçinë dhe fuqi punëtore.
Pasieka dhe kolegu i tij Serhiy Roholsky dolën vullnetarë për të shkuar atje me kamionçinat e kompanisë.
“Ne nxjerrim rreth 8 deri në 11 trupa në ditë”, tha Roholsky, duke shtuar se kishin punuar vetëm në Borodianka dhe fshatrat që e rrethojnë që kur shkuan dy javë më parë.
Roholsky sapo kishte nxjerrë dy trupa nga një varr i gërmuar në pyll dhe i vendosi ata në një rrugicë me ndihmën e dy vullnetarëve të tjerë. “Secila ditë është ndryshe por gjejmë të gjitha llojet – burra, gra, të rinj, të moshuar, moshë mesatare”.
Njërit nga dy trupat ishte një burrë që dukej se mund të kishte qenë në pension, ia kishin prerë kokën dhe nuk dihej se ku ishte. Të dy kufomat ishin shtrembëruar dhe copëtuar. Dukej sikur gjymtyrët e tyre ishin thyer në disa vende.
Djali i burrit të cilit ia kishin prerë kokën, Serhiy Kubitsky, ishte aty për të dëshmuar zhvarrosjen dhe për t’i dhënë deklaratë policisë. Ai dhe familja e tij ishin larguar nga fshati për siguri kur lufta filloi, por babai nuk dëshiroi të largohej.
“Nuk besova se është ai kur më treguan”, tha djali. Tha se fqinjët e tij e kishin gjetur trupin e të atit në pyll afër pikës së kontrollit ruse më 17 mars dhe të varrosur aty. Fqinjët u kthyen më pas te varri për ta gërmuar nën mbikëqyrjen e policisë.
Edhe në mes të ferrit të përditshëm nëpër të cilin kalojnë, dy rastet më të rënda ku ata kanë qenë vullnetarë, tha Roholsky, ishin kur një vajzë 15-vjeçare u zhvarros nga një varr masiv dhe kur ata nxorën trupin e një burri të moshuar i cili ishte lyer me benzinë dhe i ishte vënë flaka. Dëshmitari i cili ia tregoi ngjarjen Roholskyt ishte gruaja e burrit të moshuar, e cila ishte lidhur nga ushtarët rusë dhe ishte detyruar të shikonte.
Pas dy burrave në pyll, ndalesa tjetër ishte varreza në një fshat afër, ku ekipi do të zhvarroste trupat në mënyrë që të regjistronte shkakun e vdekjes.
Stanislav Kozynchuk, nënkryetar i prokurorisë së rajonit të Kievit, tha se dy personat që ishin varrosur në varrezë ishin vrarë nga sulmet ajrore, që ai beson se kanë qenë bomba thërrmuese.
Provat e mbledhura nga The Guardian gjatë vizitave në Bucha, Hostomel dhe Borodianka – dhe të rishikuara nga ekspertë të pavarur të armëve – treguan se trupat ruse kanë përdorur bomba thërrmuese, të cilat janë të ndaluara gjithandej botës.
Kozynchuk tha se të gjithë trupat që nuk janë varrosur sipas ligjit, duke të zhvarrosen dhe të ekzaminohen deri të gjendet shkaku i vdekjes nga mjekët ligjorë dhe të forenzikës pas autopsisë – vetëm pas kësaj trupat mund të varrosen.
“Për shkak të luftës, nuk kishte mundësi për autopsi, civilët vetëm varrosën trupat dhe më vonë raportuan në polici për vendndodhjen e varrit. Nuk ka rëndësi nëse trupi është varrosur në një varrezë apo diku tjetër në fushë, nëse nuk është dokumentuar duhet të zhvarroset”.