Detaje të reja janë zbardhur rreth ngjarjes së rëndë që tronditi Fierin, të enjten e 7 Dhjetorit.
Mësohet se viktima Elton Javori, i cili u ekzekutua pak metra larg shtëpisë, dikur kishte qenë mik me autorin, Agim Gashi.
Por në rrethana ende të paqarta, miqësia mes tyre është krisur dhe kanë nisur debatet. Ata kanë pasur një konflikt rreth dy vite më parë. Pas rikthimit të Javorit nga Gjermania, kanë pasur një tjetër debat mes tyre.
Familja Gashi dhe Javori kanë pasur një marrëdhënie krushqie mes personave të afërt dhe ka dyshime se kjo martesë është prishur dhe nga këtu kanë nisur konfliket.
35-vjeçari Agim Gashi vijon të jetë në kërkim që prej ditës së djeshme. Deri më tani janë kontrolluar garazhe, magazina dhe vende që dyshohen se mund të ishte makina e autorit, por pa rezultat. Kamerat e sigurisë, deri në këtë fazë të hetimeve, nuk kanë dhënë një ndihmë të qartë për drejtimin e makinës, edhe pse dyshimet e hetuesve janë se mund të ketë ikur edhe në drejtim të Vlorës.
Sa i takon ekspertizës është konfirmuar se viktima ka vdekur si pasojë e një plumbi në qafë. Ai është qëlluar dy herë dhe vetëm njëri prej plumbave ka prekur 41 vjeçarin.