Kryeministrja e Moldavisë, Natalia Gavrilita dha një intervistë për Corriere della Sera, ku foli në lidhje me incidentet e fundit që janë regjistruar në rajonin e Transnistrisë.
Shefja e qeverisë moldave u shpreh se ka tentativa që ta përfshijnë vendin e saj në një konflikt që nuk e dëshiron.
“Shpërthimet misterioze në Transnistria, për të cilat rusët dhe ukrainasit akuzojnë njëri-tjetrin, janë incidente të shkaktuara nga palët e interesuara që përpiqen të na destabilizojnë dhe të na tërheqin në një luftë të padëshiruar. Ato janë sulme të maskuara për të krijuar panik dhe pasiguri”, u shpreh Gavrilita.
Më tej, kryeministrja u shpreh se nuk mundet të kryejë një hetim serioz për atë që ka ndodhur në rajonin e kontrolluar nga Rusia.
“Ne po e monitorojmë situatën nga afër dhe po përgatitemi për skenarë të ndryshëm. Ne nuk kemi kontroll efektiv mbi Transnistrinë, e cila është udhëhequr nga separatistët e mbështetur nga Rusia për 30 vjet, dhe për këtë arsye nuk jemi në gjendje të kryejmë një hetim serioz për atë që ka ndodhur”, përfundoi Gavrilita.